ZKA-ja, KMFP-ja dhe deputetë të parlamentit suedez diskutojnë për rritjen e ndikimit të auditimit në përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike

Prishtinë | 07 Pri 2022 | 15:01 | Nga Ekonomia Online

ZKA-ja, KMFP-ja dhe deputetë të parlamentit suedez diskutojnë për domosdoshmërinë e rritjes së ndikimit të auditimit në përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të mërkurën dhe të enjten ka mbajtur punëtorinë për rritjen e ndikimit të auditimit përmes zbatimit të rekomandimeve.

Përveç drejtuesve të ZKA-së në punëtori kanë marrë pjesë deputetë të Kuvendit të Kosovës njëherësh anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP). Në kuadër të kësaj punëtorie është zhvilluar edhe një takim virtual me përfaqësuesit e Institucionit Suprem të Auditimit të Suedisë dhe deputetë të parlamentit suedez.

Në ditën e parë të kësaj punëtorie janë zhvilluar diskutimet për dy çështje thelbësore për Zyrën Kombëtare të Auditimit, siç janë zbatimi i rekomandimeve të auditimit dhe ndryshimi i Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm.

Punëtoria ka vazhduar edhe ditën e enjte, ku është diskutuar për raportin vjetor të performancës dhe strategjinë tre vjeçare të ZKA-së.
Fillimisht Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka falënderuar anëtarët e Komisionit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme dhënë ZKA-së në përmbushjen e mandatit kushtetues dhe ligjor, duke thënë se puna e përbashkët ka për qëllim përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike.

Spanca ka theksuar se përkundër këtij angazhimi, zbatimi i rekomandimeve të auditimit ende nuk është në nivelin e kënaqshëm. “Në baza vjetore, ZKA-ja publikon më shumë se 130 raporte të auditimit si dhe jep rreth 1 000 rekomandime për auditimet e rregullsisë dhe të performancës.

Për të rritur ndikimin në përmirësimin e menaxhimit të financave publike, rekomandimet e auditimit duhet të zbatohen nga organizatat buxhetore e që fatkeqësisht përkundër punës tonë dhe angazhimit të KMFP-së niveli i zbatimit të rekomandimeve nuk është në nivelin e duhur. Edhe pse ka një rritje të lehtë të nivelit të zbatimit të rekomandimeve të dhëna për vitin 2020 në 45% krahasuar me vitin 2019 që ishte 40% prap se prap niveli i përgjithshëm mbetet i ulët”, ka deklaruar Spanca.

Për të rritur ndikimin e punës, përkatësisht zbatimin e rekomandimeve të auditimit znj. Spanca, ka thënë se kërkohet përkushtim i krerëve të institucioneve publike që të ndërmarrin masa konkrete dhe të kërkojnë llogari nga vartësit e tyre. Ndërsa, ka theksuar se është shqetësuese mos prezenca e ministrave në mbledhjet e KMFP-së kur shqyrtohen raportet e auditimit, për shkak se kjo tregon përkushtimin e pamjaftueshëm të atyre që janë të ngarkuar me llogaridhënie në zbatimin e rekomandimeve. Nëse raportet e auditimit nuk shqyrtohen dhe mbesin në sirtarë edhe puna dhe angazhimi i auditorëve mbetet e pa materializuar.

Spanca ka mirëpritur iniciativën e KMFP-së për të rritur ndikimin e punës së ZKA-së përmes vizitave në teren tek organizatat buxhetore.
Tutje Auditorja e Përgjithshme ka treguar se për të qenë në pajtueshmëri edhe me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit edhe me praktikat e BE-së si dhe për të kryer më shumë auditime në fushën e pajtueshmërisë me ligjet dhe rregulloret në fuqi, si dhe auditime të performancës për të vlerësuar efikasitetin efektivitetin dhe ekonomin e aktiviteteve qeveritare, ndryshimi i Ligjit për AP është më se i domosdoshëm.

Sa i përket nevojës për ndryshimin e Ligjit të Auditorit të Përgjithshëm dhe ZKA-së Auditorja e Përgjithshme ka bërë me dije se është përgatitur koncept dokumenti si dhe ka e njoftuar KMFP-në që SIGMA ka shprehur gatishmërinë që ta ndihmojë ZKA-në në këtë proces.

Nga ana tjetër, Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP), Hykmete Bajrami, ka folur për punën e Komisionit si dhe për rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të auditimit. Bajrami ka mirëpritur mbajtjen e kësaj punëtorie si një mundësi e mirë për të diskutuar për zbatimin e rekomandimeve si dhe ka falënderuar Zyrën Kombëtare të Auditimit për bashkëpunimin e vazhdueshëm me KMFP-në. Kryetarja e KMFP-së ka mirëpritur inicimin e ndryshimit të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe ZKA-në. Tutje znj. Bajrami ka vlerësuar punën e ZKA-së si dhe ka shprehur përkushtimin e Komisionit për rritjen e ndikimit të punës së tyre.

Deputetja suedeze Mia Sydow Mölleby dhe Dag Levin Sparr, Këshilltar i Lartë në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë (ZKAS) kanë prezantuar praktikat e Parlamentit Suedez dhe ZKAS-së në shqyrtimin e raporteve të auditimit dhe bashkëpunimit në mes të dyja institucioneve për të siguruar menaxhimin e mirë të fondeve publike dhe mbajtur përgjegjës krerët e organizatave buxhetore.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe ata të parlamentit suedezë kanë ndarë përvojat dhe praktikën e tyre me qëllim të rritjes së ndikimit të punës së tyre në përmirësimin e menaxhimit të financave publike.

Të ngjashme