Zogaj-Gashi: Përfshirja e grave në tregun e punës kërkon ide të guximshme

Prishtinë | 23 Mar 2017 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Ideja dhe nisma për projektin WOW “Gratë në Punë Online”, u frymëzua nga trendet e reja botërore, duke qenë  të  bindur se ky lloj projekti ofron mundësi të panumërta punësimi për gratë dhe si e tillë është cilësuar ide e guximshme, e cila edhe po tregon sukses, kështu ka deklaruar zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik  Besa Zogaj – Gashi në Konferencën  “Standardet në Tregun e Punës”: Të Drejtat e punëtorëve në investimet e huaja direkte që organizohet në kuadër të Javës së Gruas 2017.

Besa Zogaj – Gashi duke folur për projektin WOW i ideuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) tha se tashmë pas trajnimit në fushën e TIK-ut, vajzat e përfshira në këtë projekt kanë gjetur të paktën një vend pune nëpërmjet internetit.

“Kur lansuam projektin në fazën e parë në dy komuna për pranimin e 100 vajzave konkurruan mbi një mijë vajza dhe  ky ishte një indikator që vendi ynë ka nevojë për një projekt të tillë dhe  ekipet e MZHE-së  dhe Bankës Botërore jemi angazhuar që këtë projekt ta shtrijmë në faza tjera për një përfshirje sa më të madhe të vajzave në të gjitha komunat gjë të cilën jemi duke e bërë”,  tha zëvendësministrja Zogaj – Gashi.

Zogaj – Gashi më tej ka bërë të ditur  se tashmë vajzat e trajnuara kanë realizuar mbi  271 kontrata pune online, duke shtuar se ka vajza që kanë arritur të përfitojnë mbi 20 kontrata të punës online.

Ndërsa, Arban Abrashi , Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se konkluzat e  debateve që dalin nga kjo javë ndihmojnë që institucionet të bëjnë politika sa më të mira për gratë dhe integrimin gjinor.

“Në bazë të analizave që kemi bërë vërehet  që ka pengesa, mirëpo mendoj që debatet si sot do të kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes”, tha ministri Abrashi.

Nga ana e tij, Patric Etienne drejtor i zyrës zvicërane për bashkëpunim tha se, popullata e Kosovës është e re dhe është kapital i shtetit më të ri në botë, andaj edhe gjinia femërore në këtë aspekt ka dhënë dhe vazhdon të  jap  kontribut të madh si në fushën e politikës, ekonomisë, lidershipit, artit, dhe  së fundi edhe në fushën e Teknologjisë së Informacionit.

Java e Gruas ka filluar si pilot projekt në vitin 2012 nga NDI me mbështetje të USAID. Kjo është një ngjarje kombëtare që mbledh 100 përfaqësuese gra nga etnitë e ndryshme, partitë politike, shoqëria civile, bizneset, mediat dhe akademia. Këtë vit, Java e Gruas përveç që do të bashkojë gra lidere të së ardhmes, për herë të parë do të sjellë edhe 20 liderë burra nga të gjitha fushat e shoqërisë që të marrin pjesë në këtë program.

Në këtë program pjesëmarrësit do të krijojnë rrjetëzim dhe do të kenë mundësi të forcojnë aftësitë e tyre në lidership, të folurit para publikut dhe në formësimin e politikave.

Të ngjashme