Zotimi i Kurtit për ndarjen e 100 eurove për këta punëtorë, reagojnë sindikatat

Prishtinë | 12 Pri 2022 | 11:03 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka reaguar pasi kryeministri Albin Kurti, mëngjesin e sotëm njoftoi se do t’i ndajë 100 milionë euro për pensionistët, studentët dhe për punëtorët e sektorit publiko-privat.

Kjo sindikatë deklaroi se e mirëpret dialogun edhe kur ai vjen në formë të deklaratës nga i pari i Qeverisë, por pret që kjo të mos mbetet vetëm deklaratë që thuhet po të realizohet dhe të rrisë sado kudo mirëqenien ekonomike dhe sociale të punësuarve dhe të qytetarëve që e ndërtojnë dhe e duan këtë vend.

Po ashtu, sipas BSPK-së, Qeveria duhet ta miratojë Ligjin e Pagave dhe nisjen e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore.

Reagimi i BSPK-së:

Protesta e së premtes, e 8 prillit 2022, ishte e qetë e tejet paqësore dhe Partneri Social i Qeverisë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i parashtroi para Partnerit Social – Qeverisë kërkesat e arsyeshme dhe të realizueshme, dhe si duket kjo u kuptua, dhe në Deklaratën e sotme, e martë, 12 prill 2022, i Pari i Qeverisë iu drejtua të gjithëve duke deklaruar se kërkesat e parashtruara do të përmbushen.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, mirëpret dialogun edhe kur ai vjen në formë të deklaratës nga i pari i Qeverisë, po pret që kjo të mos mbetet vetëm deklaratë që thuhet po të realizohet dhe të rrisë sado kudo mirëqenien ekonomike dhe sociale të punësuarve dhe të qytetarëve që e ndërtojnë dhe e duan këtë vend.

Mbështetja financiare është e mirë e çfarëdoqofshme qoftë ajo, po Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret që hartimi i projektligjeve, dhe miratimi, dhe plotësim-ndryshimi i ligjeve të veçanta për jetën e të punësuarve të ecin dhe të rregullojnë fushat përkatëse asisoj që të mos ketë hapësirë e as nevojë të kërkohet që të ndodhë ndryshe.

Prandaj, presim dhe duam të kemi besimin se Partneri ynë Social – Qeveria kërkesat e arsyeshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës:

Miratimin e Ligjit për Paga;
Nisjen e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore;
Plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti; dhe
Nënshkrimin e marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse;

t’i përmbyllë brenda këtyre muajve dhe të punësuarve e qytetarëve t’ua japë një infrastrukturë ligjore ashtu siç e meritojnë.

Të ngjashme