ZRrE i vazhdon operimin Gjeneratorit “Kosova A” edhe për një vit

????????????????????????????????????
Prishtinë | 24 Sht 2018 | 17:55 | Nga

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) në mbledhjen e gjashtë (VI) me radhë për këtë vit ka aprovuar Planet Zhvillimore pesë (2018-2022) dhe dhjetë vjeçare (2018 – 2027) të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST- KOSTT) dhe Planet Zhvillimore dhe Investive të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH – KEDS).

Planifikimi i zhvillimit të sistemit të Transmetimit dhe Shpërndarjes është proces i cili ka për qëllim marrjen e vendimeve për zhvillimin e ri apo ri-ngritjen e elementeve ekzistues të sistemit elektroenergjetik, në mënyrë që të mundësohet furnizim i konsumit për një afat më të gjatë kohorë në mënyrë të parashikuar dhe planifikuar. Planifikimi si proces përfshin një numër të aktiviteteve, siç janë zhvillimi i rrjetit në relacion me parashikimin e kërkesës për energji, parashikimin e gjenerimit duke mundësuar identifikimin e përforcimeve dhe zgjerimeve të nevojshme të rrjetit që të arrihet një operimi i qëndrueshëm dhe furnizim i besueshëm me energji.

Bazuar në këto plane Zhvillimore dhe Investive, në Parametrat Rregullative të aprovuara në mbledhjen e fundit, dhe në kërkesat e Operatorëve, Bordi ka aprovuar të Hyrat e Lejuara Maksimale për periudhën pesë vjeçare për OST dhe OSSH. Për OST në vlerë prej 151,68 milion euro dhe 413.25 milion euro për OSSH. Bordi gjithashtu, në këtë mbledhje ka vendosur në Parim Certifikimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (KOSTT). Ky Certifikim para se të jetë i plotfuqishëm do të konfirmohet edhe nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, i cili është konsultuar nga ZRRE gjatë të gjithë Procesit të certifikimit.

Në këtë Mbledhje janë aprovuar edhe tri kërkesa për ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese për vet – konsum nga panelet solare, me kapacitet të instaluar prej 95 kw, 60 kw, dhe 100 kw.

Me kërkesë të Operatorit të Gjenerimit KEK SH.A, dhe duke u bazuar në nevojat e mbulimit të konsumit të energjisë në vend, Bordi i ZRrE ka vendosur që Gjeneratorit “Kosova A” ti vazhdohet leja e operimit edhe për një vit.

Bordi gjithashtu ka shqyrtuar edhe nëntë ankesa të konsumatorëve si dhe ka aprovuar kërkesën e shoqërisë “SOLAR GREEN ENERGY” SH.P.K., për shtyrje të afatit të vlefshmërisë së Vendimit të Autorizimit edhe për një vit.

Në këtë mbledhje Bordi i ZRrE ka shqyrtuar edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me funksionimin e brendshëm të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Të ngjashme