“ZRRE urgjentisht të sqarojë se si do të faturohet energjia e shpenzuar nga data 22-27 janar 2022 deri 8 shkurt 2022”

Prishtinë | 09 Shk 2022 | 19:18 | Nga Ekonomia Online

Faqja “Mbrojtësit e konsumatorëve” ka reaguar në lidhje me vendimin e fundit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Në reagim kërkohet sqarim se si do të faturohet energjia e shpenzuar nga datat 22-27 janar deri më 8 shkurt të vitit 2022. Aty thuhet se konsumatorët mund të dëmtohen rëndë nëse nuk reagon shpejt ZRrE për t’u dalë në mbrojtje.

Ky është reagimi i plotë:

Reagim: ZRRE urgjentisht të sqarojë se si do të faturohet energjia e shpenzuar nga data 22-27 janar 2022 deri 8 shkurt 2022. Konsumatorët mund të dëmtohen rëndë financiarisht nëse ZRRE nuk reagon shpejt për të mbrojtur konsumatorët

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit në fushën e energjisë. Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka aprovuar dje bllok tarifat e reja me ndarjen e re që fillon nga 800 kË. Sipas njoftim të ZRRE-së, bllok tarifat e reja do të nisin zbatimin do të hyjnë në fuqi me datë 9 shkurt 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023. Ne jemi të shqetësuar për mundësinë e shkeljes së të drejtave të konsumatorëve përmes faturimit të pasaktë, jotransparent dhe të padrejtë për energjinë e shpenzuar deri me datë 9 shkurt. Për këtë, i bëjmë thirrje ZRRE-së që të sigurohet se ka ndarje të qartë në mes kohës së faturimit me çmimoren e re dhe asaj të vjetër dhe se konsumatorët janë të informuar saktë dhe drejtë mbi këtë proces.

INDEP konsideron që ZRRE duhet të sqarojë mirë formën se si do të tarifohen konsumatorët për energjinë e shpenzuar gjatë muajit shkurt. Bazuar në vendimin e tarifave të reja, KESCO do të duhej të kishte nisur llogaritjen e faturave për energjinë e shpenzuar nga data e tarifimit të fund-muajit janar 2022 deri më datën 8 shkurt 2022 sipas tarifave të vjetra. Më pastaj, KESCO do të duhet të tarifonte përsëri konsumatorët për energjinë e shpenzuar tri javët e fundit të muajit shkurt 2022 me tarifat e reja të aprovuara. Ligji për ZRRE-në, neni 49 i jep ZRRE-së kompentencat ligjore të nevojshme që të veprojë për faturimin e energjisë nga kompanitë e licencuara ndaj konsumatorëve.

Me këtë reagim, INDEP po kërkon që ZRRE të prioritizojë mbrojtjen e konsumatorit dhe urgjentisht të urdhërojë KESCO-n që të faturojë energjinë e muajit shkurt në dy fatura të ndara. E shohim shumë të rrezikshme dhe dëmtim të drejtpërdrejtë të të drejtave ekonomike të konsumatorëve nëse konsumatorët në fund të muajit shkurt 2022 do të ngarkohen me tarifat e shtrenjtuara të energjisë elektrike të shpenzuar.

Me shtrenjtimin e fundit të çmimit të energjisë, konsumatorët ka shumë mundësi që prej kohës së tarifimit të fundit, nga datat 22 deri 27 janar 2022 deri sot, 9 shkurt 2022, të kenë shpenzuar energji të mjaftueshme sa për të kapërcyer kufirin e bllok tarifës prej 800kË. Kjo, sepse marrë parasysh temperaturat shumë të ulëta këto ditë, është shumë e mundshme që një pjesë e madhe e konsumatorëve të kenë shpenzuar më shumë se 800 kË për ngrohje me energji elektrike dhe të tarifohen me shifra marrëmendëse për energji elektrike në fund të muajit.

Intervenimi i menjëhershëm i ZRRE-së është jashtëzakonisht i nevojshëm në mënyrë që të sigurohet se po zbatohen rregullativat në vend. I rikujtojmë ZRRE-së që ka për obligim sigurimin e zbatimit të standardeve të informimit të konsumatorëve dhe sigurimit të cilësisë së shërbimit në bazë të nenit 20 të Ligjit Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Rregullës së vet ZRRE-së Nr. 17/2019 për Standardet e Cilësisë së Shërbimit të Energjisë Elektrike. Këto dy akte juridike, por edhe nenet 53 dhe 55 të Ligjit Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike që garantojnë mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve me rastin e matjes dhe faturimit të energjisë së shpenzuar.

Misioni i ZRRE-së është që të mbrojë konsumatorët, monitorojë tregun e energjisë dhe të reagojë në kohë sa herë që konsumatorët cenohen nga kompanitë që ofrojnë shërbime për energji. INDEP bën thirrje që ZRRE të reagojë shpejtë dhe mos të lejojë hapësirë që KESCO të manipulojë me faturat e shkurtit 2022. Energjia e shtrenjtuar do t’i dëmtojë financiarisht konsumatorët mjaftueshëm, ndërsa manipulimi me faturë të fryrë përbën edhe shkelje të rëndë të të drejtave të konsumatorëve.

Të ngjashme