Zv.kryeministri Bislimi i ofron përkrahje Rrjetit CSR Kosova – Ekonomia qarkore e fuqizimi i të rinjve objektiva kyç

Prishtinë | 28 Tet 2021 | 17:40 | Nga Majlinda Ibrahimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në ngjarjen e organizuar nga Rrjeti CSR Kosova, u theksua nevoja e thellimit të bashkëpunimit me Qeverinë për realizimin e objektivave si ekonomia qarkore e fuqizimi i të rinjve, raporton Ekonomia Online.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për vazhdimin e rritjes ekonomike, duke u ofruar mbështetje Rrjetit CSR Kosova.

“Fakti që po shoh anëtarë të shoqatës e bën të kuptueshme se bashkëpunimi është me rëndësi të madhe. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që vazhdimi i rritjes ekonomike me qenë e shëndosh, kjo për ne nënkupton që mos me lënë askënd mbrapa. Vendimet e fundit e Qeverisë jo vetëm që synojnë rritjen ekonomike, por jemi duke punuar në fuqizimin e të rinjve. Për mua është e rëndësishme që të rritet numri i anëtarëve. Sa më shumë që punëtorët të konsiderohen si partnerë dhe jo argat, kjo u ndihmon në veprimtarinë e kompanive. Qeverinë e keni mbështetës”.

Lina Stretz, drejtoreshë Ekzekutive e Rrjetit CSR Kosova, tha se nxitjen e qëndrueshmërisë edhe tranzicioni nga ekonomia lineara në atë qarkore është një ndër prioritetet e bordit.  

“Ngjarjen e sotme adresojmë fuqizimin e rinisë kosovare  dhe përgatitjen e tyre për treg të punës, po ashtu projekti me UNICEF “Kosova generation unlimited”, e gjithashtu nxitjen e qëndrueshmërisë edhe tranzicionin nga ekonomia lineara në atë qarkore, nismë që e kemi fillua me GIZ. Janë thelbësore që të kemi bashkëpunim sa më të madh”.

Lekë Musa, ish-drejtor i Bordit të Rrjetit CSR Kosova, tha se kanë qenë të përkushtuar në punësimin e të rinjve.

Musa theksoi se për shkak të pandemisë kanë ngecur në një prej objektivave të tyre për sigurinë në punë të punëtorëve.

“CSR-në e kemi filluar para 12 vitesh, dhe fillimisht të gjitha kanë qenë kompani të huaja. Tani mendoj se energjia kryesore vjen prej kompanive nga Kosova të cilat duan të përçojnë mesazhin se qëllimi parësor është një mirëqenie e gjithëmbarshme. Gjatë këtij mandati synim ka qenë punësimi i të rinjve, ndërsa për shkak të pandemisë kemi ngecur për sigurinë në punë, si dhe në çështjet mjedisore. Mendoj se bordi i ri ka mjaft hapësirë për të vepruar në këtë drejtim. Ta zgjerojmë partneritetin edhe me Qeverinë”.

Ndërsa, drejtoresha e sapo zgjedhur e Bordit të Rrjetit CSR Kosova, Antigona Limani-Bejtullahu, tha se janë të fokusuar në ekonominë qarkore, e fuqizimin e të rinjve.

“Një gjë pozitive është se kjo nuk është fushë e re për mua. Rrjeti CSR do t’i identifikojë nevojat e përbashkëta në arritjen e objektivit për zhvillimin e qëndrueshëm, ekonominë qarkore, fuqizimin e të rinjve e shumë objektiva të tjera”.

Nona Zicherman, udhëheqja e Programit të UNICEF në Kosovë, tha se përmes këtij rrjeti, shumë të rinj kanë pasur mundësi të bëjnë punë praktike përmes bashkëpunimit privato-publik.

“Në Kosovë jemi fokusuar në fuqizimin e rinisë, që të kenë shkathtësitë e duhura për të ardhmen, dhe të arrijnë tranzicionin e suksesshëm nga shkolla në pune. Në Kosovë, hapësira për mundësi është ende e hapur. Siç e dini, punësimi është ende problem. Për UNICEF-in është prioritet thelbësor punësimi. Ne jemi të kënaqur që bashkëpunojmë me CSR-në, jemi të angazhuar në vazhdimin e bashkëpunimit. Energjia dhe kreativiteti i të rinjve kanë potencial. Me ‘Kosovo Generation Unlimited’, kemi arritur punësimin e të rinjve. Partneriteti publik-privat në Kosovë po rritet”, u shpreh Zicherman.

Projekti “Kosovo Generation Unlimited” u vlerësua i suksesshëm në punësimin e të rinjve edhe nga pjesëmarrës të tjerë.

Agon Gashi nga “Meridian Express” tregoi se prej 1 200 të rinj sa janë angazhuar për të bërë punë praktike në këtë kompani, 450 kanë vazhduar punën me orar të plotë.

“Kemi filluar projektin para pandemisë për projektin për praktikë në kompani private. Për 12 muaj, rreth 1 200 studentë kemi arritur t’i rehatojmë në kompani private. Është e rëndësishme që të sigurohemi që rini të kuptojë qysh herët rëndësinë e kulturës së punës. Ne ballafaqohemi me mungesë të punëtorëve. Është lajm i mirë që 450 do të vazhdojnë punën me orar të plotë. Presim mbështetje si CSR nga Qeveria, që të mos ndalemi në numrin 1 mijë, të realizojmë edhe planin për 10 mijë vende pune për praktikë”.

Stefan Mager, udhëheqës i projekteve në GIZ, tregoi për rëndësinë e ekonomisë qarkore.

 “GIZ ka politika që të mbështesim dhe promovojnë ekonominë në Kosovë”, tha Mager, duke veçuar projektin e Parkut të Trajnimeve në Prizren.

“Ekonomia qarkore është ekonomia madhore. Ekonomia qarkore jep mundësi që të zvogëlohen mbeturinat. Ka kompani në Kosovë që duhet te punojmë me këtë temë. Qeveria luan rol të fuqishëm për ekonominë qarkore. Edhe një çështje që është shumë e rëndësishme komunikimi dhe shkëmbimi për këtë temë. Edhe shoqëria civile duhet të përfshihet për t’i marrë rekomandimet e tyre”.

Rrjeti CSR Kosova organizon çdo vjet ngjarje të këtilla, me synimin fuqizimin e përgjegjësisë shoqërore korporatave dhe shpërndarjen e kauzave shoqërore në mbarë vendin.

Të ngjashme