Zv.kryeministrja shqiptare premton lehtësira për mallrat nga Kosova

Prishtinë | 20 Nën 2017 | 14:20 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, ka pritur në takim zëvendëskryeministren e Shqipërisë, Senida Mesi.

Bajrami ka thënë se në takim është biseduar në lidhje me marrëveshjet që kanë arritur të dyja vendet gjatë mbledhjeve të qeverive, raporton EO.

Ai tha se të dy janë dakorduar që këto marrëveshje të jetësohen për çka beson se mbledhja e dy qeverive që do të mbahet në Korçë këtë muaj do t’i konkretizoj.

Ministri i tregtisë tha se nga ky takim doli ideja e krijimit të një strategjie ekonomike e cila do të thellonte bashkëpunimin në mes të dyja vendeve.

“Diskutuam sa i përket çështjeve ekonomike në mes të dyja vendeve, realisht biseduam për marrëveshjet që janë arritur deri më tani që ato të jetësohen, marrëveshjet që me datën 27 ndoshta do të i konkretizojmë. U dakorduam që të hartojmë një strategji të përbashkët të zhvillimit ekonomik, natyrisht thellimit të bashkëpunimit në mes të dyja vendeve. Mendojmë që ti fuqizojmë ato produkte të cilat mund të eksportohen në Kosovë dhe ato produkte të cilat mund të eksportohen në Shqipëri”, tha ai.

Zëvendësministrja shqiptare, Senida Mesi, tha se për të lehtësuar bashkëpunimin tregtar të të dyja vendeve, është propozuar mos pasur fare pikë doganore me Kosovën.

Ajo tha se lëvizja e mallrave në mes të dyja vendeve duhet të lehtësohet ashtu sikurse ka ndodhur për njerëzit, raporton Ekonomia Online.

Sipas saj, në mbledhjen e Korçës, që do të mbahet më 27 nëntor, priten rezultate në finalizim të marrëveshjes lidhur me tarifat tatimore.

“Me ministrin sigurisht diskutuam konkretisht për hapa të përbashkët, duke qenë se të dy kemi një bekgraund nga fusha e biznesit duam që marrëveshjet të finalizohen me produkte konkrete. Mua më vjen mirë të shoh që si Shqipëria ashtu edhe Kosova janë në hapa të njëjtë në lidhje me rritjen dhe zhvillimin ekonomik”.

“Ne duam që sigurisht të rrisim më shumë regëtinë reciproke, importet dhe eksportet sigurisht për benefitin e të dyja vendeve, duke filluar që nga bashkëpunimi në pikën doganore, Shqipëria ka iniciuar procesin e saj të brendshëm për të mos pasur fare pikë doganore në lidhje me shkëmbimin e mallrave dhe të shërbimeve”.

“Ashtu sikurse ne lëvizim lirisht vetëm me një kartë të identitetit ashtu duhet të lëvizin dhe komunikojnë edhe bizneset me njëri tjetrin, sigurisht mbledhja e Korçës do të finalizoj marrëveshje të tilla të ngjashme në lidhje me tarifa doganore të cilat duhet të lehtësojnë shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve midis dy vendeve. Besoj që mbledhja e Korçës do të na sjell rezultate konkrete”, përfundoi ajo.

Të ngjashme