Zyra Kombëtare e Auditimit harxhon shumë para për qira

Prishtinë | 04 Kor 2018 | 12:24 | Nga Besjana Bajrami

Zyra Kombëtare e Auditimit ia ka “djegur” më shumë se 8 milionë euro buxhetit të Kosovës, për pagesën e qerasë, që kur është vendosur në objektin te Lagja Ulpiana në Prishtinë.

Auditori gjeneral, Besnik Osmani, tha se ky është shpenzimi më i lartë që ka ardhur, në mungesë të gjetjes së një zgjidhjeje për çështjen e objektit, raporton Ekonomia Online.

“Sa i përket raportit të auditorit, auditori që ka audituar institucionin tonë ka qenë pozitiv. Shpenzimi më i lart që ndodhë tek ne janë shpenzimet e qirasë. Sa i përket objektit është jashtë domenit tonë dhe jemi të varur nga institucione tjera. Totali i pagesave për këtë ndërtesë ka kaluar 8 milion euro”.

Gjatë shqyrtimit të Raportit financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2017, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa kanë kërkuar  më shumë vëmendje për shpenzimet e udhëtimeve zyrtare të përfaqësuesve të institucioneve publike.

Kryetari i Komisionit, Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje që të analizohen më me kujdes shpenzimet e parave për udhëtime.

“Keni pas probleme në mëditje dhe udhëtime. Unë ju kisha lut ti vëni drit më shumë se si institucionet i shpenzojnë parat në këto kategori”.

Deputeti i AAK’së, Blerim Kuçi, ndërkohë, ka kërkuar që rekomandimet e nxjerra për Zyren Kombëtare të Auditimit të merren parasysh.

“Ne kemi biseduar shumë shpesh edhe për rekomandimet. Në bazë të shqyrtimit të Raportit kemi vërejtur që disa rekomandime bartën nga viti në vit. A ka mundesi që me ato rekomandime që barten nga viti në vit të trajtohen në forma të veçantë” ka deklaruar Kuçi, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme