Zyrtarët e ATK-së s’deklarojnë pasurinë qe dy vjet, ministri Hamza thotë se Ligji është në proces

Prishtinë | 11 Mar 2019 | 11:53 | Nga Emine Shehu

Zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës, ka tash e dy vjet që nuk e kanë bërë deklarimin e pasurisë. Kështu thuhet në raportin e publikuar nga “Demokracia Plus” dhe BIRN në lidhje me Administratën Tatimore të Kosovës, për periudhën shtator 2018 – shkurt 2019, raporton Ekonomia Online.

Visar Rushiti, analist i politikave në D+, ka prezantuar të gjeturat nga raporti nga monitorimi gjashtë mujor.  Sipas këtij raporti për gjashtë muaj janë gjetur disa shkelje në ATK.

“Në bazë të analizimeve kemi pa që shkeljet në procedurë disiplinore shkeljet kanë ndodhë të rënda dhe vërejtjet janë shënuar zakonisht si shkelje të rënda. Nëse i shohim të gjitha evidentimet gjatë gjashtë muaj e vetmja masë është lirim nga zyra dhe transferim. Gjetja e dytë është se deklarimi i pasurisë në ATK nuk është bë gjatë dy viteve të fundit. Divizioni standardeve profesionale është në mungesë të burimeve njerëzore”, tha Rushiti.

Sipas tij, deklarimit të pasurisë mendojmë se duhet të riinicohet.

“Janë Diku 350-60 thirrje në vit që ndodhin lajmërime të qytetarëve në ATK. Çështja e sinjalizuesve është një fakt që duhet ta theksojmë se ATK duhet të ecë që të ketë një procedurë në këtë rast. Në disa raste besojmë se procedura disiplinore ka mujt me ndodhë më ndryshe dhe jo gjithmonë të vendoset me masën e njëjtë. Sa i përket Deklarimit të pasurisë mendojmë se duhet të riinicohet kjo çështje. Komisioni diciplinor në aspekt organizativ dhe teknik mendojmë se duhet të shtohet me staf cka kërkohet edhe me ligj”, shtoi Rushiti.

Thomas Adams, zëvendësambasador i Ambasadës Britanike, tha se ATK-ja është institucioni më i rëndësishëm në Kosovë për rritje ekonomike dhe prosperitet. Ai shtoi se përkrahin hetuesit tatimor për të luftuar krimin ekonomik.

“Ne i përkrahim hetuesit tatimorë në trajnime dhe ATK duke luftuar krimin ekonomik. E dimë se Kosova ka një ekonomi të madhe informale. Kjo për disa arsye. Udhëheqësia e re do merret me këtë me prioritet. Ambasada britanike është partner i juaji dhe ne i mbështesim institucionet për llogaridhënie për të luftuar krimin ekonomik”, tha Adams.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se duhet që të merren parasysh këto të gjetura të raportit.

“Sa i përket të gjeturave të raportit unë kërkoj nga drejtori dhe iu lus që me marrë seriozisht dhe me bë si plan veprimi me adresuar të gjeturat e këtij raporti. Ligji për ATK-në është në proces. Lus të gjitha palët në konsultime publike me kontribuar me komente të tyre. Jo të gjitha marrin konsideratë pro ato që janë të mira dhe me standarde do të merren në konsideratë”, tha  Hamza

Madje Hamza, u zotua se numri i inspektorëve në ATK, do të rritet.

“Ka raste kur në raport theksohet mungesa e burimeve për integritete. Nëse merret madhësia e ATK me numrin e bizneseve më kanë thënë që nuk është se ATK ka pak të punësuar por ndoshta duhet të bëhet një rregullim brenda ATK. Po zotohem se përderisa unë jam ministër nëse ka kërkesë nga ATK për rritje të inspektorëve unë jam i gatshëm me e rritë, me investua”, shtoi Hamza.

Sipas Hamzës, duhet të ketë edhe kualitet të kontroll, pasi që, nuk korrekte nëse është kryer një kontroll dhe ai raport të përfundojë tek arkivat. Ai tha se nuk është tërhequr plotësisht nga ideja e dikurshme që të krijojë një ligj për inspektorat brenda ATK.

“Pata menduar për një ligj për një inspektorat në ATK dhe nuk është se jam tërheqë krejt prej bërjes së këtij ligji, i cili nuk lejon që i njëjti person të punojë në sektori provat edhe në atë publik.  Ju kisha lutë puna e kontabilistit është e vlefshme. Kush donë prej ATK të punojë në kontabilitet e financa është e drejtë e tij por territoret me i nda rrugët, kjo kohë duhet me përfundua. Ose puno në sektor publik ose rri në sektor privat”, pohoi Hamza.  

“Ende skam heqë dorë prej idesë por nuk kam dashtë me pas duplifikim të trupave brenda institucioneve. Nëse marrim 800 vetë të punësuar nëse dalim në analiza del se një pjesë e madhe brenda atk janë më tepër në karakterin mbështetës që nuk janë sa duhet produktivë”, shtoi Hamza.

Ilir Murtezaj, drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, tha se disa nga të gjeturat kanë filluar të zbatohen dhe të përmirësohen.

“Disa nga të gjeturat ne vetëm kemi filluar me i zbatuar, si themelimi i dy komisioneve, diciplinor dhe ai i ankesave. Kërkesa ime është që gjithçka të bëhet sipas ligjit.

Deklarimi i pasurisë ne javën e kaluar kemi diskutuar me zyrtarë dhe kërkesë ka qenë që ti autorizojmë zyrtarët operativë që deri më 31 mars të raportojnë pasurinë edhe zyrtarë të tjerë brenda ATK-së”, tha Murtezaj.

Ai shtoi se pjesa e llogaridhënies është evidente dhe ka nevojë për avancim. Sipas tij, po punohet që të arrihet ngritja e cilësisë së kontrolli.  

“Pjesa e llogaridhënies dhe transparencës janë çështje që është evidente që ka nevojë për avancim dhe ngritje të këtyre dy elementeve. Sa i përket llogaridhënies unë kam filluar veç të marrë masat e para. Si çështja e ngritjes së cilësisë së kontrollit. Pjesa e transparencës është element që mundohemi që çka do që punohet në ATK të bëhet në kuadër të transparencës. Nuk pajtohem që është marrë vetëm një masë për të gjitha shkeljet. Kjo nuk guxon të ndodhë. Edhe pse ligji për shërbyesit civilë nuk krijon hapësirë të mjaftueshëm për shkallëzim të masave”, shtoi Murtezaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme