500,000 ushtarë gati për luftë, shfaqen “robotët” e armatosur në kufirin Rusi-Ukrainë

Prishtinë | 15 Pri 2021 | 17:06 | Nga Ekonomia Online

Bota është nën frikën e një konflikti në shkallë të gjerë mes Rusisë së Ukrainës, i cili me gjasë nuk do të kufizohej vetëm mes dy shteteve. Ndërkohë që SHBA-të anuluan dërgimin e dy anijeve ushtarake në detin e Zi, në formë mbështetjeje për ukrainasit, rusët kanë filluar një stërvitje të madhe në ujërat përreth gadishullit të Krimesë duke kërcënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Ukrainën.

Mediat ruse publikuan pamje nga stërvitja, ku si rrallë më parë u përdor municion i vërtetë. Më herët, Putini kishte zhvendosur 15 anije ushtarake nga deti Kaspik në detin e Zi për të rritur ndjeshëm forcën ruse në këtë rajon.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se të dy vendet kanë angazhuar një total prej 500 000 ushtarësh në të dyja anët e kufirit duke e bërë këtë organizimin me të madh në rajon që prej 50 vitesh.

Ndërkohë që të gjithë paralajmërojnë për një luftë mes dy vendeve, në zonën e konfliktit, pikërisht ai i Donbasit, ajo vijon prej 7 vitesh.

Lufta është kthyer diçka normale atje, me rrebelët pro-rusë që kundërshtojnë praninë ushtarake të Ukrainës. Në Donetsk janë shfaqur tashmë edhe skena nga filmi “Transformers” me robotë gjoja të armatosur që presin armikun.

Të ngjashme