Adoleshenti që pastroi rrëmujën e protestuesve shpërblehet me veturë dhe bursë

Prishtinë | 08 Qer 2020 | 16:04 | Nga Ekonomia Online

Kur Antonio Gwynn i pa dëmet nga protesta në vendlindjen e tij, Buffalo, e mori një fshesë, i bleu disa qese për mbeturina dhe filloi t’i pastronte rrugët vetë.

Ai filloi në orën 2 pas mesnate të hënën dhe nuk u ndal së pastruari për dhjetë orë. Kur një grup i organizuar i fqinjëve erdhi më vonë atë mëngjes për ta filluar pastrimin, ata panë se Antonio tashmë e kishte kryer shumicën e punës.

Antonio është djalë 18-vjeçar, nxënës në shkollë të mesme. Ai tha se pa në televizor se rruga “Bailey” në Buffalo është mbuluar me xhama dhe mbeturina dhe e dinte se njerëzit kanë nevojë ta shfrytëzojnë atë rrugë për të shkuar në punë në mëngjes, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.

Kur u përhapën fjalët për veprimin e djaloshit, komuniteti ku ai jeton vendosi ta vlerësonte punën e tij. Matt Block e pa djalin në lajme dhe vendosi t’ia japë si dhuratë veturën e tij të tipit Ford Mustang të vitit 2004.

Më vonë doli se dhurata kishte edhe më shumë kuptim sesa e imagjinonte dhuruesi i saj. Nëna e djaloshit, e cila vdiq në vitin 2018, voziste një model të njëjtë të veturës, madje edhe me ngjyrë të njëjtë. Kur e kuptoi këtë rastësi, Antonio tha se ishte i shokuar dhe nuk kishte fjalë, ndërsa Matt Block tha se u rrëqeth.

Kjo nuk është e tëra që fitoi Antonio, sepse Kolegji “Medaille” gjithashtu ia dhuroi një bursë të plotë. Duke filluar nga kjo vjeshtë, djaloshi planifikon të studiojë për biznes. Qëllimi i tij është që në të ardhmen të hapë një kompani për pastrim.

Të ngjashme