BE-ja, 3 miliardë euro gjobë Italisë

Prishtinë | 29 Maj 2019 | 02:40 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Europian mund të ndëshkojë me një gjobë miliardere Italinë për shkak të nivelit të lartë të borxhit dhe defiçitit. Duke reaguar ndaj lajmit, zëvendëskryeministri Mateo Salvini ka deklaruar se do të luftojë kundër rregullave fiskale të Europës së vjetër.

Komisioni Europian mund të gjobisë me 3 miliardë euro Italinë për shkelje të rregullave financiare të BE-së. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, Brukseli ka gjithashtu gjasa të nisë një procedurë disiplinore ndaj Italisë më 5 Qershor, për shkak të gjendjes së rëndë të financave publike.

Masat ndëshkuese do të pasqyrohen në një letër që Komisioni pritet t’i dërgojë Romës zyrtare këtë javë. Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë zëvendës kryeministri i Italisë, Mateo Salvini, partia e të cilit triumfoi në zgjedhjet europiane të mbajtura ditën e diel.

“Le të shohim nëse kjo letër do të vijë”, ka thënë Salvini, duke shtuar se do të përdorë të gjitha energjitë e tij për të luftuar rregullat fiskale të BE-së, sipas tij të padrejta dhe të papërshtatshme me kohën.

Numri dy i qeverisë italiane ka theksuar se është anormale që në një kohë kur papunësia tek të rinjtë në disa rajone të Italisë është 50 për qind nga Brukseli të vijë 3 miliardë euro gjobë dhe të kërkohen 20 miliardë euro rritje taksash në shtator.

“Votimi i së dielës ishte një refuzim i Europës së vjetër të bazuar tek shkurtimet. Tani, nëse dëshirojnë, liderët europianë mund të ulen në tryezë dhe të kenë në fokus punësimin, kuotën e papunësisë dhe ekonominë reale”, ka shtuar Salvini.

Të ngjashme