BE-ja e kritikon Qeverinë e re të talibanëve

Prishtinë | 08 Sht 2021 | 20:18 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian e ka kritikuar Qeverinë e përkohshme të formuar nga talibanët në Afganistan, të mërkurën.

“Nuk duket si formim gjithëpërfshirës dhe përfaqësues i diversitetit të pasur etnik dhe fetar të Afganistanit që ne kishim shpresuar të shihnim, kjo pasi këtë e premtuan talibanët javët e fundit,” tha një zëdhënës i BE -së në një deklaratë.

Pozitat kryesore në Qeverinë e re të Afganistanit u bënë të ditura nga talibanët të martën në mbrëmje. Kabineti përbëhet kryesisht nga burrat, pjesëtarë janë talibanët të cilët qeverisnin vendin nga viti 1996 deri në vitin 2001.

Mohammad Hasan Akhund, tani drejtues i Qeverisë së përkohshme të Afganistanit, më parë ka shërbyer si ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër.

Numri dy i ekzekutivit të ri, Abdul Ghani Baradar, është bashkëthemeluesi i grupit dhe mori pjesë në negociatat për tërheqjen e SHBA-së, ndërsa ministri i ri i brendshëm, Sirajuddin Haqqani, është në listën më të kërkuar të FBI-së.

Ministrat e jashtëm të BE-së javën e kaluar kanë insistuar se për krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme mes 27 vendeve të bllokut dhe të Qeverisë afgane duhet të jetë një kabinet qeveritar “gjithëpërfshirës dhe përfaqësues”.

Blloku evropian e ka anuluar shumën e një milion eurove që ishte si fond për të mundësuar zhvillimin e Afganistan për gjatë shtatë viteve të ardhshme, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.

Të ngjashme