Biden bën thirrje për ndalimin e armëve sulmuese

Prishtinë | 23 Mar 2021 | 21:37 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, bëri thirrje për ndalimin e armëve sulmuese dhe për masa më të ashpra të kontrollit të armëve.

Biden i bëri komentet një ditë pas të shtënave masive në shtetin e Kollorados, ku mbetën të vrarë dhjetë persona.

“Nuk kam nevojë të pres një minutë tjetër, e lëre më një orë tjetër, për të ndërmarrë hapa të arsyeshëm, që do të shpëtojnë jetë në të ardhmen”, tha Biden.

“Ne mund t’i ndalojmë armët sulmuese. Kjo nuk është dhe nuk duhet të jetë një çështje partiake. Është një çështje amerikane që do të shpëtojë jetë, jetë të amerikanëve. Duhet të veprojmë”, tha Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Dhjetë persona janë qëlluar për vdekje në një dyqan ushqimor në qytetin Boullder të Kollorados, të hënën.

Sulmi ka përfunduar kur policia ka kapur të dyshuarin pas një shkëmbimi të zjarrit.

I dyshuari është identifikuar si Ahmad Al Aliwi Alissa, 21 vjeç.

Ai përballet me dhjetë akuza për vrasje.

Policia nuk e ka konfirmuar ende motivin e sulmit.

Në mesin e të vdekurve është edhe polici Eric Talley, i cili ka qenë oficeri i parë që u është përgjigjur të shtënave.

Sulmi ka ndodhur më pak se një javë pas të shtënave masive në Atlanta, ku kanë mbetur të vrarë tetë persona, përfshirë gjashtë gra aziatike.

Presidenti Biden u zotua të martën se “do t’i përdorë të gjitha burimet në dispozicion, për ta mbajtur të sigurt popullin amerikan”, ndërsa i bëri thirrje Kongresit që t’i kalojë masat për kontrollin e armëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme