Aeroplanët rusë tentuan të hyjnë në hapësirën ajrore të Britanisë

Prishtinë | 08 Mar 2020 | 09:06 | Nga Ekonomia Online

Forcat ajrore të Britanisë së Madhe u detyruan që t’i aktivizojnë gjashtë aeroplanë luftarakë të tipit “Tajfun” pasi disa aeroplanë rusë u panë duke iu afruar hapësirës ajrore të Mbretërisë së Bashkuar.

Tajfunët britanikë, të përkrahur nga një aeroplan për furnizim me karburant, u ngritën në qiell pasi disa aeroplanë të paidentifikuar ishin nisur drejt bregdetit veriperëndimor të Skocisë.

Gjashtë aeroplanët luftarakë të sektorit të reagimit të shpejtë u angazhuan në këtë operacion. Ministria e Mbrojtjes tha se arritja e aeroplanëve në hapësirën ku u panë aeroplanët rusë bëri që këta të fundit ta ndërronin drejtimin.

Më vonë u mor vesh se njëri nga aeroplanët ishte i tipit “Tupolev Tu-95”. Autoritetet britanike nuk bënë të ditur se sa aeroplanë rusë ishin të përfshirë në incident, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Kjo nuk është hera e parë që aeroplanët rusë e cenojnë hapësirën ajrore të një vendi tjetër. Verën e kaluar, disa aeroplanë rusë ishin vërejtur afër hapësirës ajrore të Estonisë.

Të ngjashme