Boris Johnson kërkon përdorim të maskave në hapësira të mbyllura

Prishtinë | 13 Kor 2020 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë të hënën se njerëzit duhet të përdorin maska në hapësira të mbyllura, përfshirë dyqanet, duke shtuar se qeveria pas pak ditësh do të paraqesë një plan për zbatimin e kësaj mase.

“Unë mendoj se është shumë e rëndësishme të vendoset maska në dyqane, nëse do të ndodheni në një hapësirë të mbyllur dhe dëshironi t’i mbroni njerëzit e tjerë dhe veten”, tha Johnson gjatë një interviste në televizion.

“Sa i përket asaj se si do ta bëjmë këtë, nëse do ta bëjmë të obligueshme, do t’i shikojmë udhëzimet, do të themi pak më shumë pas pak ditësh”, shtoi ai.

Deklarata e shefit të qeverisë britanike erdhi vetëm një ditë pasi ministri i tij, Michael Gove, tha se nuk beson që përdorimi i maskave duhet të bëhet i detyrueshëm, shkruan “CNN”.

Ndryshe, Mbretëria e Bashkuar është në mesin e vendeve më të prekura nga pandemia në botë dhe ka numrin më të lartë të viktimave në Evropë dhe të tretin në botë. Më shumë të vdekur kanë vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Brazili.

Të ngjashme