Çmimet e konsumit në SHBA po rriten me ritmin më të shpejtë në gati 40 vjet

Prishtinë | 13 Jan 2022 | 08:08 | Nga Ekonomia Online

Çmimet në SHBA po rriten me ritmin e tyre më të shpejtë në pothuajse 40 vjet.

Kërkesa e shumtë dhe oferta e pakët për artikujt kryesorë si makinat po nxisin rritjet, të cilat po ushtrojnë presion mbi politikëbërësit për të vepruar.

Banka qendrore amerikane pritet të rrisë normat e interesit këtë vit. Rritja e kostove të huamarrjes synon të reduktojë kërkesën duke i bërë blerjet, si bie fjala të makinave, më të shtrenjta.

Rritja e dhjetorit shënoi muajin e tretë radhazi që norma vjetore e inflacionit të SHBA-së qëndron mbi 6%, shumë larg objektivit prej 2% të politikëbërësve. Hera e fundit që ritmi i inflacionit e kaloi atë nivel ishte në vitin 1982.

Kostot e banesave u rritën me 4.1% nga viti në vit, ndërsa kostoja e sendeve ushqimore u rrit me 6.5%, krahasuar me një mesatare vjetore prej 1.5% gjatë 10 viteve të fundit, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Raporti i së mërkurës nga Departamenti i Punës tregoi shenja se disa prej presioneve mund të jenë duke u lehtësuar. Kostoja e energjisë ra në 0.4% nga nëntori në dhjetor, rënia e parë që nga prilli. Por mbi 12 muaj kostot e energjisë janë rritur me afro 30% dhe janë rikthyer në trendin e tyre rritës ditët e fundit.

Duke reaguar ndaj raportit të fundit, presidenti Joe Biden tha se ai “dëshmon se ne po bëjmë përparim në ngadalësimin e shkallës së rritjes së çmimeve”.

Ai shtoi se ka “më shumë punë për të bërë” në SHBA dhe vuri në dukje se “inflacioni është një sfidë globale, që shfaqet pothuajse në çdo vend të zhvilluar pasi del nga rënia ekonomike pandemike”.

Të ngjashme