Çmimet e larta të gazit dhe rrymës, BE-ja larg ujdisë për zgjidhjet

Prishtinë | 27 Tet 2021 | 10:08 | Nga Ekonomia Online

Ministrat e Energjisë të Bashkimit Evropian janë konsultuar për rritjen e ndjeshme të çmimeve në shumë vende dhe se çfarë kundërmasash duhen marrë.

Në shumë vende të BE-së, rritja e çmimeve të energjisë po kthehet në problem për qytetarët. Si mund të ndalen lëkundjet kaq të mëdha të çmimeve të energjisë në BE? Me këtë çështje merren ministrat e Energjisë së BE në takimin e tyre në Luksemburg.

Komisioni Evropian paraqiti para disa ditësh një paketë të instrumenteve që mund të vihen në përdorim për t’u përballur me rritjen e çmimeve, si për shembull uljen e tatimeve apo subvencionime për sipërmarrjet e vogla.

Por një grup brenda BE-së kërkon më shumë. Franca, Spanja dhe Greqia duan që të merren masa më të thella në nivel evropian, që të shmangen në të ardhmen çmimet e larta. Për shembull reformimin e tregut të shumicës për tregjet e energjisë duke mundësuar blerjen e përbashkët të gazit dhe magazinimin e tij.

Jo ndërhyrje në tregjet e brendshme

Përballë kësaj qëndron një grup tjetër brenda BE, që kërkon zgjidhje në tregjet ekonomike. Gjermania dhe tetë vende të tjera u shprehën kundër reformave në tregjet e energjisë. Në një dokument të përbashkët me Austrinë dhe Holandën thuhet, se “nuk mund të mbështesim masa, që janë në kontradiktë me tregjet e brendshme të gazit dhe energjisë elektrike, si për shembull një reformë të shpejtë të tregut të shumicës për energjinë”.

Polonia dhe Hungaria nga ana e tyre bëjnë përgjegjëse masat e paketës së klimës të BE si tregtinë me emetimet e dyoksidit të karbonit (CO2) për këtë rritje të ndjeshme çmimesh. Në sistemin e emetimeve të BE, ofruesit e energjisë duhet të paguajnë për emetimin e gazrave serë. Disa vende, mes tyre Gjermania theksojnë, se masat e mbrojtjes së klimës janë zgjidhja për çmimet e larta të energjisë dhe jo origjina e problemit.

Pozicionet e vendeve të BE në lidhje me çmimet e larta të energjisë janë kaq larg njëri-tjetrit, edhe sepse jo të gjithë janë të prekur njësoj nga rritja e çmimeve. Sipas vëzhguesve në Luksemburg nuk pritet arritja e ndonjë ujdie, me gjasë ajo do të shtyhet në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme