Demokratët kërkojnë dëshmitarë të rinj në gjyqin kundër Trumpit

Prishtinë | 23 Dhj 2019 | 13:54 | Nga Ekonomia Online

Demokrati, Chuck Schumer, ka thënë se publikimi i një emaili të ri që tregon pezullimin e ndihmës ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, tregon nevojën për dëshmitarë të ri në hetimet për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump.

Dhoma e Përfaqësuesve e drejtuar nga demokratët ka miratuar javën e kaluar dy akuza për shkarkim të Trumpit, duke i hapur rrugën gjyqit në Senat.

Trump akuzohet për ndalje të ndihmës ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, për t’i bërë presion Kievit që të hetojë për një rival politik.

Demokratët duan që dëshmitarët të paraqiten në gjyqin e Senatit, mirëpo republikanët janë duke rezistuar.

Schumer ka thënë se një email i ri për detajet e ndihmës ushtarake tregon nevojën e dëshmitarëve të rinj.

Ndihma ushtarake dhe një bisedë telefonike në mes të Trumpit dhe homologut të tij ukrainas, Volodomyr Zelenskiy janë në qendër të rastit për shkarkim të Trumpit, proces i nisur nga demokratët.

Në një dëshmi të dhënë në Kongres muajin e kaluar, ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland, ka thënë se ai është informuar më 18 korrik që Shtëpia e Bardhë ka ndalur ndihmën ushtarake për Ukrainën.

“Nuk kam arritur të siguroj asnjëherë një përgjigje të qartë për arsyen specifike të mbajtjes (së ndihmës), ka thënë ai.

Trump ka shumë pak mundësi të shpallet fajtor dhe të largohet nga zyra, pasi Senati kontrollohet nga Partia Republikane, të cilës i përket presidenti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme