Franca paralajmëron veto ndaj marrëveshjes së BREXIT-it

Prishtinë | 04 Dhj 2020 | 12:43 | Nga Ekonomia Online

Ministri për Çështje Evropiane i Francës, Clement Beaune, ka thënë se vendi i tij mund ta përdorë të drejtën e vetos për ta bllokuar marrëveshjen për BREXIT-in, që do ta sillte nga Londra kryenegociatori i BE-së për këtë çështje, Michel Barnier.

Aleati i ngushtë i presidentit Macron tha se Franca mund të veprojë në mënyrë të njëanshme, pavarësisht qëndrimit të vendeve tjera anëtare të BE-së, nëse kushtet e marrëveshjes nuk janë të duhura.

Burimet qeveritare në Britani pretenduan të enjten në mbrëmje se palët e negociatave për BREXIT-in kanë bërë një hap të papritur prapa pasi lobimi i zëshëm francez bëri që BE-ja të paraqesë kërkesa të vonshme.

Ashpërsimi i qartë i pozicionit të BE-së thuhet se i ka destabilizuar bisedimet dhe e ka kthyer mbrapsht përparimin e shënuar në 24 orët e kaluara. Të dyja palët besojnë se e diela ose e hëna janë afati i fundit për negociatat që filluan para një viti.

Beaune tha se qeveria është duke i monitoruar për së afërmi zhvillimet në Londër, ku negociatorët kanë punuar ditë e natë për të gjetur qëndrime të përbashkëta dhe se do ta analizojë në hollësi çfarëdo marrëveshjeje që sillet në BE.

“Po, secili shtet ka të drejtë të vetos, prandaj është e mundshme. Franca, njësoj si partnerët e saj, e ka mjetin e vetos. Natyrisht, ne duket ta bëjmë vlerësimin tonë për këtë marrëveshje”, tha ai.

Të ngjashme