Gjykim i përshpejtuar për burrin që e goditi Macronin, sot del në gjyq

Prishtinë | 10 Qer 2021 | 12:28 | Nga Ekonomia Online

Damien Tarel, entuziasti i arteve marciale të Mesjetës, i cili e goditi me shuplakë të martën presidentin francez, Emmanuel Macron, do të dalë të enjten para gjyqit në një procedurë të përshpejtuar.

Tarel ka pranuar se e ka goditur presidentin përderisa ky i fundit po zhvillonte një vizitë në një kolegj për trajnime profesionale, por hetuesve u ka thënë se goditja nuk ka qenë e paramenduar, njoftoi prokurori Alex Perrin.

Burri i papunë, 28 vjeç, tha gjatë marrjes në pyetje se ka qenë i afërt me lëvizjen anti-qeveritare të jelekverdhëve dhe se ka pasur qëndrime politike të së djathtës ekstreme, shkruan Reuters.

“Ai pohoi se ka vepruar nga impulsi dhe pa menduar për ta shfaqur pakënaqësinë e tij”, thuhet në deklaratën e prokurorit Perrin, të publikuar në orët e vona të së mërkurës.

Incidenti mori vëmendje të madhe në Francë dhe jashtë saj. Sidoqoftë, vetë presidenti Macron e cilësoi rasti si incident të izoluar dhe tha se dhuna e urrejtja janë kërcënim për demokracinë.

Të ngjashme