Hong Kongu e priti Vitin e Ri me protesta

Prishtinë | 01 Jan 2020 | 09:39 | Nga Ekonomia Online

Mijëra persona janë mbledhur të mërkurën në Hong Kong për ta mbajtur atë që pritet të jetë një protestë shumë e madhe në ditën e parë të vitit 2020, disa orë pasi policia hodhi gaz lotsjellës ndaj protestuesve që ishin tubuar për ta shënuar ndërrimin e moteve.

Qyteti me autonomi të kufizuar është përfshirë nga protestat për më shumë se gjashtë muaj. Në këto protesta kanë marrë pjesë miliona njerëz dhe gjatë tyre ka pasur përleshje të dhunshme me policinë. Forcat e sigurisë kanë përdorur shpesh gaz lotsjellës dhe plumba gome për t’i shpërndarë protestuesit.

Mijëra protestues u mblodhën në distriktin financiar të qytetit në mesnatën e fundit të vitit 2019. Ata  i ndezën dritat e telefonave për ta shënuar në mënyrë simbolike ndërrimin e moteve.

Protesta e re është paralajmëruar për orën 3 të pasdites sipas kohës lokale dhe do të mbahet pikërisht në distriktin financiar.

Autoritetet e anuluan hedhjen tradicionale të fishekzjarrëve për shkak të shqetësimeve për sigurinë. Megjithatë, në qiell u panë ngjyrat e disa fishekzjarrëve më të vegjël.

Protestat masive filluan në qershor të vitit të kaluar për ta kundërshtuar miratimin e projektligjit për ekstradimin e qytetarëve të dyshuar në Kinë dhe janë mbajtur vazhdimisht çdo fundjavë, shkruan “The Guardian”

Të ngjashme