Italia i izolon 16 milionë banorë, 50 vdekje të reja nga coronavirusi

Prishtinë | 08 Mar 2020 | 08:42 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ka thënë se së paku 16 milionë banorë janë vendosur në karantinë në rajonin e Lombardisë dhe në 14 provinca të tjera deri në fillim të prillit.

Masat e ashpra të izolimit do të bëjnë që në pjesën veriore të shtetit të mbyllen palestrat, pishinat, muzetë dhe qendrat e skijimit. Të ndaluara do të jenë edhe tubimet me rastin e martesave apo varrimeve.

Italia është vendi më i goditur evropian nga koronavirusi dhe vetëm të shtunën i raportoi 49 viktima të reja, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Masat e reja, të cilat e përfshijnë edhe qendrën financiare, Milanon, dhe vendin e famshëm për turistë, Venecian, do të qëndrojnë në fuqi deri më 3 prill.

Numri i viktimave në Itali ka shkuar në mbi 230. Vetëm në 24 orët e kaluara, autoritetet raportuan për 50 persona të vdekur. Ndërkohë numri i të infektuarve u rrit për më shumë se 1200, duke shkuar në 5883.

Askush nuk do të ketë të drejtë të hyjë apo të dalë nga rajoni i Lombardisë, ku banojnë 10 milionë njerëz, përpos rasteve emergjente. Milano është qyteti më i madh në këtë pjesë.

Në këto masa përfshihen edhe rajonet e Venecias, parmës dhe Modenës, me ç’rast preken rreth 16 milionë njerëz.

Të ngjashme