Kancelari austriak: Po hyjmë në valën e dytë, respektojini masat

Prishtinë | 13 Sht 2020 | 11:39 | Nga Ekonomia Online

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, ka thënë se vendi i tij është duke hyrë në valën e dytë të koronavirusit pas rritjes së numrit të rasteve të personave të infektuar, njësoj si në disa vende tjera të Bashkimit Evropian.

Nga e premta deri të shtunën, shteti i Evropës Qendrore me rreth 9 milionë banorë i regjistroi 869 raste të reja. Më shumë se gjysma e këtyre rasteve u shënuan në kryeqytetin Vjenë, shkruan The Guardian.

“Ajo që po e përjetojmë ne është fillimi i valës së dytë”, tha përmes një deklarate kancelari Kurz, duke bërë thirrje që njerëzit t’i respektojnë masat kundër përhapjes së virusit dhe t’i pakësojnë kontaktet sociale.

Ai gjithashtu paralajmëroi se shifra prej 1,000 rasteve në ditë do të arrihet së shpejti në Austri, transmeton Gazeta Express.

Austria deri më tani ka arritur që relativisht t’i shmanget ndonjë katastrofe shëndetësore për shkak se nuk ka regjistruar numër të madh të viktimave në krahasim me disa vende tjera.

Deri më tani, në Austri nga koronavirusi kanë vdekur 750 persona, ndërsa janë infektuar më shumë se 33 mijë.

Nga e hëna, përdorimi i maskave do të jetë i detyrueshëm në të gjitha dyqanet dhe tubimet publike. Ato më herët kanë qenë të detyrueshme edhe në mjetet e transportit publik dhe dyqanet ushqimore.

Të ngjashme