Kina pret që vaksina kundër Covid-19 të jetë e gatshme në nëntor

Prishtinë | 15 Sht 2020 | 09:13 | Nga Ekonomia Online

Wu Guizhen, kryetare e sigurisë biologjike në Qendrën Kineze për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha se pret që vaksinat kineze për Covid-19 së shpejti të jenë të gatshme për publikun në nëntor apo dhjetor.

Duke folur për televizionin shtetëror, CCTV, ajo tha: “Do të jetë shumë shpejt. Përparimi tash për tash është shumë i kënaqshëm, shkruan The Guardian.

Kina, prodhuesja më e madhe e vaksinave në botë, i ka 9 nga 30 vaksinat që janë futur në fazën e testimit në njerëz në mbarë botën. Javën e kaluar, Universiteti i Hong Kongut, duke punuar me shkencëtarët kinezë, tha se një vaksinë sprej që do të jepet përmes hundës do të hyjë në fazën e testimit në njerëz.

Mijëra kinezë kanë marrë vaksina eksperimentale të prodhuara nga kompanitë kineze, përfshirë kompanitë Biotec dhe Sinovac. Në qershor, autoritetet e miratuan përdorimin e një vaksine eksperimentale në ushtarë, ndërsa në korrik janë vaksinuar edhe punëtorët shëndetësorë.

Në kohën kur gara për zbulimin e vaksinës kundër koronavirusit po rritet, Kina ka premtuar se do t’iu japë qasje në vaksinë partnerëve të saj, duke ngjallur shqetësim për mundësinë që vaksina të përdoret si mjet diplomatik apo politik.

Ekspertët shëndetësorë kinezë kanë thënë se nuk është e nevojshme që të vaksinohet tërë popullsia. Një ekspert tha se punëtorët shëndetësorë, kinezët që vijnë nga vendet e huaja dhe disa grupe të tjera do të kenë përparësi në vaksinim.

Të ngjashme