Kufizimet ndaj Covid-19 zbuten në Evropë e ShBA midis katastrofës në Indi

Prishtinë | 03 Maj 2021 | 21:50 | Nga Ekonomia Online
“Ka ardhur koha për ringjalljen e industrisë së turizmit në BE dhe për riaktivizimin e miqësive tejkufitare”, ka thënë kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. “Propozojmë që të mirëpresim sërish vizitorë të vaksinuar dhe ata nga vendet me pasqyrë të mirë epidemiologjike”

Udhëtimet ajrore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shënuar shifrën më të lartë që nga shpërthimi i COVID-19 rreth 13 muaj më parë, përderisa zyrtarët në Bashkimin Evropian kanë propozuar zbutjen e kufizimeve për vizitorët teksa fushatat e vaksinimit kanë sheshuar numrin e rasteve të infektimit dhe të vdekjeve nga koronavirusi.

Pasqyra e përmirësuar në shumë shtete, ndërkaq përbën një kontrast të theksueshëm prej katastrofës së përkeqësuar në Indi.

Në SHBA, shifra mesatare ditore e rasteve të reja ka rënë nën 50.000 për të parën herë që nga tetori. Ndërsa afro 1.67 milion qytetarë kanë kaluar nëpër aeroportet amerikane vetëm të dielën, shifër kjo më e lartë që prej mesmarsit të vitit të shkuar, kanë treguar të dhënat e Administratës së Sigurisë në Transport.

Në anën tjetër, zyrtarë të BE-së kanë paraqitur të hënën propozimin për zbutjen e kufizimeve në vizitat realizuar 27 vendeve të bllokut gjatë verës, ani pse vendimi përfundimtar do të merret nga liderët e qeverive anëtare.

Image

“Ka ardhur koha për ringjalljen e industrisë së turizmit në BE dhe për riaktivizimin e miqësive tejkufitare”, ka thënë kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. “Propozojmë që të mirëpresim sërish vizitorë të vaksinuar dhe ata nga vendet me pasqyrë të mirë epidemiologjike”.

Në Greqi, restorantet dhe kafenetë janë rihapur të hënën, pas gjashtë muajsh izolim, teksa qytetarët i kanë vërshuar ato nën rrezet e diellit. Në Francë, shkollat e mesme janë rihapur, ndërsa ndalesa për udhëtimet e brendshme është hequr. Por teksa variantet më përhapëse të virusit janë duke vazhduar, janë duke u bërë përpjekje për t’i zgjeruar fushatat e vaksinimit.

Në Detroit të SHBA-së, zyrtarët kanë nisur të trokasin derë më derë në përpjekjen për t’i bindur qytetarët që të imunizohen.

Mirëpo, pamjet e krematoriumeve të tejvërshuara dhe spitalet në kolaps kanë bërë të qartë se pandemia është larg së përfunduari. Derisa SHBA-ja dhe vendet e tjera kanë nxituar në sigurimin e ndihmës, India ka raportuar afër 370 mijë raste të reja dhe më shumë se 3.400 vdekje të hënën, shifër kjo që dyshohet të jetë më e lartë sesa që paraqitet shkaku i mungesës së testimeve dhe i vdekjeve në shtëpi që ngelen të papërfshira në evidencat zyrtare.

Ndërkaq, në Gjermani, zyrtarët bavarezë kanë pezulluar Octoberfestin për të dytin vit radhazi shkaku i rreziqeve të sigurisë. Festivali më i njohur i birës rëndom mbledh në Gjermani më shumë se 6 milionë vizitorë nga mbarë bota. Ndërkaq në Itali, ekspertët shëndetësorë dhe politikanët kanë shprehur shqetësimin rreth ngritjes së mundshme të shkallës së infektimeve, pasi që me dhjetëra fansa triumfues të futbollit janë mbledhur të dielën mbrëma në sheshin kryesor të Milanit për ta festuar titullin e “Interit”.

Të ngjashme