Kush janë tri gratë që po duan t’ia shkëpusin pushtetin 26 vjeçar një presidenti autoritar

Prishtinë | 01 Gus 2020 | 11:55 | Nga Ekonomia Online

Svetlana Tikhanovskaya më parë do të parapëlqente të qëndronte duke gatuar në shtëpi, sesa të garonte për presidente të Bjellorusisë.

Së paku, kështu tha duke qeshur nëna e dy fëmijëve para turmës së përkrahësve në një nga tubimet zgjedhore, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Sidoqoftë, ajo u tha përkrahësve se vendimi për ta sfiduar pushtetin 26-vjeçar të Aleksander Lukashenkos ishte një mision që nuk mund ta refuzonte.

Politikanja e re vendosi të kandidojë për presidente vetëm kur bashkëshorti i saj u arrestua dhe iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhje. Një tjetër kandidat serioz është burgosur, ndërsa një i tretë ka ikur nga vendi.

Zonja Tikhanovskaya, 37 vjeçe, e cila u detyrua t’i dërgonte dy fëmijët e saj jashtë shtetit për arsye sigurie, është bërë befasisht fytyra e ndryshimit në Bjellorusi.

Ajo i ka bashkuar forcat me Veronika Tsepkalon, bashkëshorte e njërit prej politikanëve që synonte të garonte në zgjedhje, dhe Maria Kolesnikovan, menaxhere e fushatës së një politikani tjetër.

Këto tri gra kanë shënuar rekorde të numrit të njerëzve që po marrin pjesë në tubimet e tyre në mbarë vendin.

“Ato nuk janë Margaret Thatcher, tipe të zonjave që janë në politikë gjatë tërë jetës, por ato janë shumë të sinqerta”, tha Valery Tsepkalo, ish-ambasador i Bjellorusisë në Shtetet e Bashkuara. Atij iu refuzua përpjekja për t’u regjistruar në listën e kandidatëve për president.

Ai i tha televizionit BBC se pasi mori të dhëna nga burime të ndryshme se së shpejti do të arrestohej, u detyrua të largohet nga vendi.

“Në fushatat e kaluara, Lukashenko kishte përkrahje publike, por këtë herë ajo është vyshkur dhe për këtë arsye ai është shumë nervoz”, shtoi Tsepkalo.

Gratë që janë bërë pjesë e kësaj fushate nuk kanë ndonjë program politik, por vetëm një kërkesë: Votojeni Svetlanën për ta larguar Lukashenkon dhe më pas ajo do të organizojë zgjedhje të reja e të lira dhe do t’i lirojë të gjithë të burgosurit politikë.

“Unë do ta përmbush misionin tim, pastaj do të tërhiqem në qetësi”, tha ajo në një tubim duke qeshur pasi një burrë i kërkoi me zë të lartë që të qëndronte në pushtet.

Të ngjashme