Lavrov thotë se Rusia nuk do të pranojë rishikimin e Rezolutës 1244

Prishtinë | 12 Dhj 2016 | 20:57 | Nga

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë sot se Rusia pranon të gjitha zgjidhjet dhe proceset në lidhje me Kosovën, por me respektimin e Rezolutës 1244, ku sipas tij rishikimi i njëanshëm i saj do të kundërshtohet.

“Solidarizohemi me miqtë serbë dhe jemi kundër çdo përpjekje për të rishikuar në mënyrë të njëanshme Rezolutën 1244”, tha Lavrov gjatë një konference të mbajtur në Beograd me homologun e tij serb, Ivica Daçiq.

Kurse Daçiq tha se Lavrov i ka shfaqur mbështetjen e Rusisë dhe i ka thënë se mund të telefonojnë në Rusi, kur Serbia është në rrezik. Ai ka ironizuar edhe për mbështetjen e Washingtonit dhe Londrës që i japin Kosovës.

“Unë uroj që gjithmonë të mund t’i telefonoj John Kerryt, në çdo kohë për t’i treguar se Serbia është e kërcënuar, ose për ta thirrur atë kur zyrtarja e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland thotë se ata kanë 20 vjet që kanë investuar në pavarësinë e Kosovës, ose Londrën, kur njëri prej tyre sjell rezolutë për gjenocid nga populli serb”, tha Daçiq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme