Louisville do ta dëmshpërblejë 12 milionë dollarë familjen e afro-amerikanes që u vra nga policia

Prishtinë | 15 Sht 2020 | 21:50 | Nga Ekonomia Online

Qyteti i Louisvillet është pajtuar t’i paguajë 12 milionë dollarë familjes së Breonna Taylorit, afro-amerikanes që u vra në shtëpinë e saj nga policia, raporton BBC.

Taylor ishte 26-vjeçare kur u qëllua së paku pesë herë më 13 mars, gjatë një bastisje të gabuar për drogë.

Emri i saj është paraqitur në protestat kundër racizmit në muajt e fundit.

Lonita Baker, një avokate e familjes së Taylorit, e ka quajtur këtë marrëveshje vetëm një faqe në tentimin për të kërkuar drejtësi, dhe ka përgëzuar reformat e reja në polici.
“Drejtësia për Breonnan është disa shtresore”, ka thënë Baker në konferencë për media përkrah kryebashkiakut të Louisvilles, Greg Fischer.

Ajo e ka quajtur marrëveshjen të jashtëzakonshme, por vetëm një pjesë e asaj për të cilën ka shpresuar familja, përfshirë edhe arrestimin e policëve që u përfshinë në vrasjen e Breonnas.

Në marrëveshje përfshihen një sërë reformash policore në qytet, përfshirë edhe një kërkesë që gjithë lejet për bastisje të aprovohen nga një zyrtar i lartë policor.

Nëna e Breonnas, Tamika Palmer, ka bërë thirrje për padi penale ndaj policëve që ia vranë vajzën.

Të ngjashme