Mediet turke: Kopshti i “Turgut Ozal” dhe kolegji “Mehmet Akif” u mbyllën sepse e kërkoi Erdogan

Prishtinë | 28 Sht 2022 | 11:45 | Nga Ekonomia Online

Mediet turke raportojnë se mbyllja e kolegjit të vajzave “Mehmet Akif” dhe e kopshtit të kompanisë “Turgut Ozal” në Shqipëri, është bërë me kërkesë të Presidentit të Turqisë Erdogan.

Takvim”, një gazeta pranë qeverisë në Turqi shkruan se gjithçka ndodhi “pas përpjekjeve të gjata diplomatike dhe vizitës së fundit të Presidentit të Turqisë në Ballkan”.

Sipas “Takvim”, qeveria shqiptare vendosi mbylljen e këtyre shkollave dhe përzënien e mësuesve prej tyre pas aktivitetit të shtuar të diplomacisë turke.

Shkollat u mbyllën pas përpjekjeve diplomatike të Turqisë. Menjëherë pas vizitës së Presidentit Erdogan në Ballkan filloi edhe mbyllja e aktivitetit të tyre duke u përzëënë prej andej. Pas kopshtit të kompanisë Turgut Ozal, u mbyll edhe kolegji “Mehmet Akif””, shkruan Takvim në faqen e saj.

Të njëjtën gjë kanë raportuar edhe gazetat “Aksam” si edhe televizioni shtetëror turk, TRT.

Ndërkohë, pas interesimit të djeshëm nga mediat, kryeministri Rama tha se nuk duhej gjetur asnjë shkak pas vendimit të qeverisë për mbylljen e shkollave përveç se zbatimin e ligjit.

Pas mbylljes së kopshtit dhe kolegjit të vajzave, më shumë se 400 fëmijë dhe adoleshentë janë tashmë pa një vend ku të mësojnë. Debati dhe protestat për mbylljen e kolegjit dhe kopshtit vijojnë prej ditësh në Shqipëri, ndërsa po kërkohet dhe dorëheqja e ministres së Arsimit Evis Kushi.

Të ngjashme