Në prag të zgjedhjeve amerikane, Dua Lipa diskuton me Bernie Sanders për një sistem universal shëndetësor

Prishtinë | 27 Tet 2020 | 09:33 | Nga Ekonomia Online

Kur ka mbetur vetëm një javë deri në datën e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, këngëtarja e famshme shqiptare, Dua Lipa, ka zhvilluar një diskutim në mënyrë virtuale me ish-kandidatin për president të ShBA-së, Bernie Sanders. Gjatë diskutimit, ata kanë folur për sistemin shëndetësor dhe i kanë krahasuar dallimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe në këtë fushë.

Këtë diskutim e publikoi në llogarinë e tij në Twitter vetë politikani amerikan, ku shkroi: “Shpresoj që amerikanët që po e shikojnë këtë të dëgjojnë se çfarë ka për të thënë Dua Lipa rreth kujdesit shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar. Garantimi i kujdesit shëndetësor si një e drejtë nuk është diçka radikale. Është diçka që secili shtet tjetër i madh tashmë e bën”.

Gjatë diskutimit, Dua e pyet senatorin Sanders pse njerëzit nuk po protestojnë për kujdes shëndetësor universal, ndërsa ai i përgjigjet tërthorazi me një pyetje tjetër.

Sipas tij, amerikanët nuk e dinë si funksionojnë sistemet shëndetësore në Britani, Kanada apo Australia, prandaj i drejtohet me një pyetje këngëtares shqiptare me famë botërore: “Kur ti sëmurësh apo familja jote sëmuret apo kur dikush duhet të shkojë në spital, sa ju kushton që të shkoni atje?”

Dua i përgjigjet: “Është tërësisht falas. Ne britanikët shërbimin shëndetësor kombëtar e konsiderojmë si një të drejtë, njësoj sikur pasja e ujit të rrjedhshëm në shtëpi.

Sanders më pas thotë: “A e dëgjuan të gjithë në Shtetet e Bashkuara atë që e tha ajo? Në Britani, kujdesi shëndetësor, që nga fundi i viteve të dyzeta, është cilësuar si e drejtë njerëzore, jo si privilegj”.

Dy figurat e njohura më pas diskutojnë për lidhjen mes humbjes së vendit të punës, sidomos në kohën e pandemisë, dhe humbjen e qasjes në kujdes shëndetësor pa pagesë. Diskutimin e tyre mund ta ndiqni në këtë video:

Të ngjashme