OKB jep shifrat, kaq tonë grurë janë eksportuar nga Ukraina

Prishtinë | 17 Gus 2022 | 09:52 | Nga Ekonomia Online

Mbi gjysmë milion ton grurë janë eksportuar nga Ukraina nëpërmjet Detit të Zi që nga fillimi i gushtit, sipas njoftimit të Kombeve të Bashkuara.

Që prej arritjes së marrëveshjes në fund të muajit të kaluar për të rifilluar eksportet, janë miratuar 36 kalime anijesh me grurë, tha OKB, duke shtuar se 21 anije u larguan nga portet e Ukrainës në drejtim të Bosforit.Advertisement

Gjithsej 27 anije mallrash u kontrolluan në Turqi sipas marrëveshjes.

Vlerësohet se mbi 20 milionë tonë drithë dhe produkte të tjera janë bllokuar në Ukrainë që nga fillimi i luftës, 24 shkurt, të cilën Rusia e pagëzoi si “operacion special ushtarak”, duke vendosur bllokadë në portet e vendit fqinj.

Nga produktet e eksportuara, më shumë se një e katërta shkoi në Turqi, 22% në Iran dhe Korenë e Jugut, 8% në Kinë dhe 6% në Irlandë, sipas shifrave të OKB-së.

Dje e martë 16 gusht, “Brave Commander”, një anije mallrash e marrë me qira nga organizata, u nis me destinacion Afrikën Lindore, për të transportuar grurë në Etiopi.

Sipas llogaritjeve të OKB-së deri më tani janë eksportuar në total 560 mijë tonë grurë.

Në fund të korrikut, palët ndërluftuese Rusi-Ukrainë ranë dakord për garancitë e ndërmjetësuara nga OKB-ja dhe ndërmjetësimi i Turqisë për të hapur një rrugë detare për të lejuar Ukrainën të rifillojë eksportin e produkteve agro-ushqimore përmes porteve të saj të Detit të Zi, pavarësisht luftës me Rusinë.

OKB-ja ka paralajmëruar për muaj të tërë kundër rrezikut të mungesës së ushqimit dhe urisë në vendet e varfra të botës nëse Ukraina, një furnizues kryesor ndërkombëtar, nuk arrin të rifillojë eksportet që u pezulluan kur ushtria ruse pushtoi territorin e saj më 24 shkurt./abcnews.al/

Të ngjashme