Opozita bjelloruese i jep afat Lukashenkos të japë dorëheqjen deri më 25 tetor

Prishtinë | 13 Tet 2020 | 20:04 | Nga Ekonomia Online

Drejtuesja e opozitës bjelloruse në mërgim, Sviatlana Tsikhanouskaya, ka caktuar 25 tetorin si afat që presidenti Alexander Lukashenko të largohet, ose të përballet me demonstrata mbarë kombëtare që do të paralizonin vendin.

Ultimatumi erdhi pasi autoritetet intesifikuan shtypjen ndaj protestuesve anti-qeveritarë këtë javë, duke përdorur topa uji, gaz lotsjellës dhe armë ndriçuese.

Në qoftë se Lukashenko nuk njofton dorëheqjen, ndalon dhunën dhe liron të burgosurit politikë, “me 26 tetor, të gjitha ndërmarrjet do të fillojnë grevën, të gjitha rrugët do të bllokohen, dyqanet shtetërore nuk do të kenë asnjë lloj shitje”, tha Tsikhanouskaya përmes një deklarate.

Opozitarja Tsikhanouskaya, mbështetësit e së cilës thonë se ajo është fituesja e zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit, u largua në shtetin fqinj, Lituani, pas votimeve, në të cilat Lukashenko u shpall fitues.

Një ndihmëse e Tsikhanouskayas tha për agjencinë e lajmeve Reuters se ultimatumi i ri u njoftua në përgjigje të kërcënimit për përdorimin e armëve vdekjeprurëse dhe shtimit të dhunës policore në rrugë. Tsikhanouskaya pret që Perëndimi të mbështesë kërkesat e saj, tha ndihmësja.

Dhjetëra mijëra bjellorusë kanë demostruar për nëntë fundjavë rresht me kërkesën për largimin e Lukashenkos. Presidenti mohon të ketë pasur mashtrime zgjedhore dhe thotë se protestat mbështeten nga jashtë.

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian ranë dakord të hënën që të shtojnë Lukashenkon në listën e zyrtarëve bjellorusë që janë vënë nën sanksione për udhëtime dhe duke u ngrirë pasuritë për shkak të krizës.

Udhëheqësi Lukashenko shkoi në një burg të KGB në Minsk të shtunën ku u takua me disa të figura opozitare të ndaluara, përfshi Victor Babarikon, një politikan që u arrestua në muajin korrik dhe u ndalua të kandidojë në zgjedhje.

Agjencia shtetërore e lajmeve Belta tha se Lukashenko kishte folur rreth ndryshimeve të propozuara në Kushtetutë, reformat e paraqitura si një mënyrë për t’i dhënë fund krizës politike, gjë të cilën kritikët e shohin si një taktikë bllokuese. 

Të ngjashme