Rusia dhe Polonia shënojnë rekorde të rasteve ditore me COVID-19, Rusia edhe rekord viktimash

Prishtinë | 04 Nën 2020 | 12:26 | Nga Ekonomia Online

Rusia dhe Polonia i kanë regjistruar shifrat më të larta ditore të infektimeve të reja me koronavirus që nga fillimi i pandemisë, duke dëshmuar se vala e dytë po e godet Evropën më rëndë se vala e parë, të paktën në aspektin e shifrave të të infektuarve.

Në Rusi, gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 19.768 raste të reja të koronavirusit, përfshirë 5.826 në Moskë. Shifra e përgjithshme e të prekurve nga virusi i ri shkoi në 1.693.454, që është ndër shifrat më të larta në botë.

Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 389 viktima, që është gjithashtu shifër rekorde, dhe numri i përgjithshëm i të vdekurve shkoi në 29.217, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Në Poloni, gjatë 24 orëve të kaluara u shënuan 24.692 raste të reja, që ishte shifër rekorde. Pritet që qeveria polake të marrë masa të reja kufizuese pas rëndimit të situatës.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në spitale ndodhen mbi 18.000 pacientë me COVID-19, prej tyre 1.625 në ventilatorë.

Të ngjashme