Spekulime në Amerikë se Grenelli mund t’i futet garës për guvernator të Kalifornisë

Prishtinë | 09 Pri 2021 | 12:10 | Nga Ekonomia Online

Televizioni amerikan, Fox News, ka raportuar për spekulimet se ish i dërguari i posaçëm i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë – Serbi dhe ish-ambasadori i ShBA-së në Gjermani, Richard Grenell, mund t’i futet garës për guvernator të Kalifornisë.

Fox-i shkruan se Grenelli po themelon një grup për votues në Kaliforni me qëllim të sjelljes së ndryshimeve “të përhershme” në mjedisin politik të shtetit me popullsinë më të madhe në ShBA, transmeton Gazeta Express.

Grupi i quajtur “Fix California” është i ngjashëm me grupin shumë të suksesshëm, “Fair Fight” të Stacey Abrams-it në Georgia dhe do të jetë i përqendruar në regjistrimin e votuesve. Ish-senatorja Kelly Loeffler bëri lëvizje të ngjashme disa javë më parë, duke e themeluar organizatën “Greater Georgia”.

Grenelli tha se vizioni i grupit “Fix California” shkon përtej përpjekjes për ta larguar guvernatorin Gavin Newsom. Duket se grupi ka nënshkrime të mjaftueshme për të shkaktuar zgjedhje dhe deri më tani ka marrë mjaft vëmendje në medie.Reklamë

Aleati kryesor i Trumpit tha se edhe nëse guvernatori Newsom largohet me sukses, guvernatori i ri do të qëndronte në pushtet vetëm për një kohë të shkurtër, para zgjedhjeve të vitit 2022.

“Ajo që po dëgjoj nga aktivistët dhe donatorët është që pas një viti të mbylljes së ekonomisë sonë për arsye politike dhe pas shkollimit me Zoom, është që njerëzit në Kaliforni duan ndryshim të përhershëm”, tha Grenelli.

“Kemi pritur gjatë dhjetë viteve të fundit për momentin që t’i tregojmë elektoratit se politikat progresive janë të këqija për shtetin më të madh dhe ajo që Covidi ka bërë është përshpejtimi i mundësisë për Republikanët që të bëjnë me shenjë nga politikat katastrofale dhe ta fajësojnë kontrollin njëpartiak të shtetit – Demokratët”, shtoi më tutje ish-ambasadori amerikan në Gjermani.

Sidoqoftë, synimi i Grenellit nuk do të jetë i lehtë për t’u arritur. Presidenti Joe Biden fitoi me dallim gati 2 me 1 në Kaliforni kundër Trumpit në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar. Kalifornia nuk ka pasur guvernator nga Partia Republikane që nga viti 2006, kur ia kishte dhënë mandatin e dytë ish-guvernatorit Arnold Scharzenegger.

Të ngjashme