UNHCR: Refugjatët po vdesin nga i ftohti (Video)

Prishtinë | 13 Jan 2017 | 23:03 | Nga

Agjencia e OKB për refugjatët, UNHCR, ka deklaruar se refugjatët dhe emigrantët po rrezikojnë të vdesin nga vala e të ftohtit. Madje ajo u ka bërë thirrje qeverive se duhet të bëjnë më shumë për t’i ndihmuar, në vend që t’i largojnë nga kufijtë dhe t’i ekspozojnë ndaj dhunës.

Sipas zëdhënëses në UNHCR-së, Cecile Pouilly, situata është shumë e komplikuar. “Jemi ekstremisht të shqetësuar nga lajmet për vdekjen e disa refugjatëve dhe emigrantëve në përpjekjen për të hyrë apo për t’u zhvendosur rreth Europës, në mes të të ftohtit të acartë”, tha Pouilly.

Kjo e fundit shtoi më tej se rreth 1000 vetë, përfshirë fëmijë, po qëndronin në tenda pa ngrohje në ishullin grek të Samos, duke bërë thirrje për transferimin e tyre në kontinent. Shumë emigrantë dëshmojnë se ndaj tyre është ushtruar dhunë dhe se u janë konfiskuar ose shkatërruar telefonat, çfarë i ka penguar të kërkojnë ndihmë.

Pranë kufirit turk në Bullgari u gjetën trupat e dy irakianëve dhe një gruaje somaleze, ndërsa dy adoleshentë somalezë u shtruan në spital, pas 5 ditëve të kaluara në pyll.

Trupi i një të riu palestinez u gjet përgjatë të njëjtës vije kufitare në fund të dhjetorit, siç thotë UNHCR-ja, e një tjetër 20-vjeçar humbi jetën në përpjekjen për të kaluar lumin Evros në kufirin tokësor mes Greqisë dhe Turqisë, kur temperaturat ishin nën -10 gradë celsius.

Ndërkohë në Serbi, rreth 80 për qind e 7300 refugjatëve dhe azilkërkuesve po qëndrojnë në vendstrehime qeveritare të pajisura me ngrohje, por 1.200 burra flenë nëpër magazina të braktisura.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme