Cilësia e karburanteve është jashtë standarteve të lejuara

Prishtinë | 14 Tet 2018 | 14:33 | Nga Ekonomia Online

Konfindustria, duke marrë shkak nga rritja e shpejtë e çmimit të karburanteve, do të kërkojë zyrtarisht nga vendimarrja politike e të gjitha krahëve marrjen me shpejtësi të masave të domosdoshme ligjore për përballimin e gjendjes së papranueshme të sotme dhe pasojave të rënda në afatgjatë për zhvillimin ekonomik të vendit.

Së pari, do të kërkohet të kryhen ndryshimet e nevojshme ligjore për krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve.

“Tregu i karburanteve duhet të jetë treg i rregulluar dhe vëzhguar ngjashëm me tregun e energjisë elektrike. Enti Rregullator i Karburanteve do të jetë përgjegjës për çmimin dhe cilësinë e produkteve, që qarkullojnë në treg. Sa më sipër, përligjet plotësisht me ndikimin e fuqishëm, që tregu i karburanteve, si më i madhi në vend me mbi 10% të PPB dhe mbi 1 miliard euro qarkullim vjetor, ka në zhvillimin ekonomik të vendit, biznesin dhe mirëqënien e qytetarëve. Praktika të ngjashme ka në Maqedoni ku cmimi i karburanteve është mbi 30% më i ulët se në Shqipëri,” thuhet në një komunikatë për medie të Konfindustrisë.

Së dyti, do të kërkohet, që të ulet me të paktën 50% taksa e qarkullimit të automjeteve, që sot kap vlerën absolute të afër 120 milion euro/vit. Kërkesa e mësipërme arsyetohet me nivelin e lartë krahësimor të taksës si dhe me hyrjen në fuqi të tarifës së pagesës në Rrugën e Kombit, që në thelb ka natyrën e një takse të mirëfilltë kombëtare shtesë.

Në javën e fundit çmimi i karburanteve është rritur në mënyrë të menjëhershme nga të gjithë operatorët më mesataren 10 lekë/litër. Cmimi i karburanteve në Shqipëri është më i larti në rajon dhe në 25 vendet me cmimin më të lartë në botë, duke u afruar me shpejtësi në kufijtë e niveilt historik më të lartë prej 200 Lek/litër.

“Njëkohësisht, cilësia e karburanteve në qarkullim në treg është në shumicë jashtë standarteve të lejuara, duke e përkeqësuar edhe më tej gjëndjen e vështirë të sotme,” thuhet në komunikatë, shkruan EO. 

Kërkesat për përmirësimin e gjendjes në tregun e karburanteve do të paraqiten si pjesë përbërëse e kërkesave të Konfindustrisë për Paketën fiskale 2019. Konfindustria do të kërkojë në vazhdimësi, që përmirësimi i ndërtimit dhe funksionimit të tregut të karburanteve të jetë pjesë përbërëse e strategjive ekonomike zgjedhore të të gjithë forcave politike të vendit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme