Dhuna në Virxhinia, Shtëpia e Bardhë mbron Trumpin

Virxhinia | 14 Gus 2017 | 10:30 | Nga

Shtëpia e Bardhë mbrojti reagimin e Donald Trump ndaj dhunës vdekjeprurëse në një miting supremacistësh të bardhë në Virxhinia, ndërsa shtohen gjithnjë e më shumë kritikat se Presidenti nuk dënoi qartësisht grupet e ekstremit të djathtë.

Trump dënoi dhunën, por nuk përmendi me emra grupet raciste, diçka që vajza e tij Ivanka Trump e bëri shumë më mirë, duke thënë se nuk ka vend në shoqëri për racizimin, supremacinë e bardhë dhe neonazistët. Në një koment pas zhurmës së madhe, Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Donald Trump dënoi shumë ashpër çdo formë dhune, urrejtjeje dhe paragjykimi dhe sigurisht që këtu përfshihen supremacistët e bardhë, Ku Klux Klan, neonazistët dhe çdo grup esktremist.

Nuk duket që kjo të ketë bindur shumë njerëz, pasi Trump vazhdon të jetë objektiv i kritikave, pavarësisht se çfarë zgjedh të bëjë. Gjithçka nisi pas përleshjeve të dhunshme gjatë mitingut të supremacistëve të bardhë në Sharlotsvile me protestuesit, ndërsa dhuna arriti kulmin kur një makinë u vërsul drejt këtyre të fundit, duke vrarë një person dhe plagosur shumë të tjerë.

Situata vazhdon të jetë e tensionuar në qytet dhe kjo u pa mjaft qartë kur turma e zemëruar dëboi një nga organizuesit e mitingut që po përpiqej të mbante një fjalim pas dhunës. Jason Kessler, një prej supremacistëve të bardhë, fajësoi policinë për dhunën, por reagimi i njerëzve të pranishëm tregoi qartë se askush nuk i beson përrallave të një racisti si ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme