Di Maio kërkon ligj kundër terrorizmit islamik

Prishtinë | 07 Nën 2020 | 13:05 | Nga Ekonomia Online

Disa sulme terroriste në Europë në javët e fundit janë bërë shkas që të marrë hov ideja për një bashkëpunim mbareuropian kundër terrorizmit. Amerika e miratoi një ligj të tillë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Italia, njësoj si Austria dhe Franca, kërkon një kornizë ligjore të përbashkët për të luftuar terrorizmin islamik që po kanos prej javësh disa pjesëtarë të familjes europiane.

Ministri i Jashtëm italian, Luixhi Di Maio, propozon që BE-ja të marrë shembull nismën amerikane “PATRIOT”, që Uashingtoni e miratoi në vitin 2001 pas sulmeve të 11 shtatorit.

Sipas “Ligjit PATRIOT”, agjencitë e antikrimit marrin fuqi më të mëdha dhe koordinohen për goditjen ose përgjimin e të dyshuarve për terrorizëm brenda ose jashtë vendit.

“Është e nevojshme që Europa të ketë një plan unik për rritjen e sigurisë. Me këtë unë nënkuptoj një Ligj PATRIOT Europian. Nuk mund të rrimë pasivë e të presim që një i çmendur të gjunjëzojë një vend të tërë,” shpjegoi Di Maio për gazetën britanike “The Times”.

Edhe kancelari austriak, Sebastian Kurx, që tha të enjten se Europës i duhet një ndërmarrje e përbashkët kundër terrorizmit.

Deklaratat ai i bëri në vazhdën e sulmit të fillimjavës në Vjenë, kur një simpatizant i Shtetit Islamik hapi zjarr ndaj qytetarëve duke vrarë 4 prej tyre e duke plagosur 22 të tjerë.

Autori ishte shtetas austriak me prejardhje nga Maqedonia e Veriut por kontaktet e tij po hetohen në disa shtete europiane.

“Përveç masave hetimore dhe parandaluese, nevojitet bashkëpunim ndërkombëtar. Terrorizmi islamik është pjesë e një rrjeti global që rrezikon këdo. Europa përballet me një sfidë të përbashkët që ne mund ta adresojmë vetëm së bashku,” u shpreh Kurz.

Ditët e fundit edhe presidenti francez, Emanuel Makron, njoftoi se Parisi do të ashpërsojë kontrollet kufitare me vendet që lëvizin lirshëm në zonën Shengen.

Vetë Franca ka rritur nivelin e gatishmërisë kundër terrorizmit duke mobilizuar forca rendi shtesë në shkollat dhe institucionet e fesë pas disa sulmeve nga myslimanë radikalë në javët e fundit.

Të ngjashme