E mbijetuara nga tërmeti: U bllokova në shtëpi bashkë me gjyshërit, brenda binin tulla e copa muresh

Prishtinë | 01 Dhj 2019 | 12:44 | Nga Ekonomia Online

Serjana Qerasaj është një banore e Lagjes 17 të Durrësit, e cila ishte në shtëpi së bashku me gjyshërit në momentin që tërmeti tronditi vendin. Lëkundjet e forta i la ata të bllokuar brenda shtëpisë dhe u detyruan që të thërrisnin për ndihmë familjarët e tjerë që të mund të dilnin nga rrënojat.

Tashmë, ajo ndodhet në Korçë dhe tregon se si e përjetoi tërmetin e tmerrit. E mbijetuara tregon se si ka parë e ndjerë ndërtesat që shembeshin përreth, ndërsa në shtëpi vazhdonin të binin tulla dhe copat e mureve.

Qerasaj tregon se pasi arritën të dilnin jashtë, kanë shkuar për të kërkuar ushqime, por nuk u kanë dhënë, duke u thënë se duhej ta kishin emrin të regjistruar në bashki. Ndërsa kur kanë shkuar në bashki kanë parë se ishte kaos dhe vendosën të udhëtojnë drejt Korçës, ku bashkia e këtij qyteti u hapi dyert e i ndihmoi.

“Në shtëpi ishim, në gjumë. Ndjemë lëkundjet dhe vrapuam të dilnim jashtë, por dera ishte e bllokuar, copat e mureve na binin gjithandej. S’dinim ku të shkonim. Pasi ndaloi tërmeti dhe gjysma e shtëpisë ishte e shkatërruar, telefonuam kushërinjtë dhe u thamë që kishim mbetur të bllokuar. Erdhën ata që na nxorën. Ndërkohë, ndienim si shembeshin ndërtesat përreth, brenda vazhdonin të binin tulla, copa muresh, dëgjonim kërcitje dhe menduam se aty do të merrnim fund. Por për fat të mirë ia dolëm të jemi gjallë”, ka thënë ajo.

Ndërkohë Serjana është shprehur se “nuk e di çdo bëjmë”. “Shtëpi s’kemi, punë jo, se hotelet, bizneset, punishtet ku punonim u shembën, disa nuk i hapin se kanë frikë nga tërmeti, asgjë s’kemi tani. Mbetëm rrugëve, nuk e dimë nëse do të na e ndërtojnë shtëpinë apo jo dhe çfarë zgjidhje do të na japin. Është vërtet situatë e keqe për mijëra njerëz”, ka përfunduar ajo. 

Të ngjashme