Familjarët ia hoqën nga rryma ventilatorin për ta vendosur flladitësen, vdes pacienti indian

Prishtinë | 23 Qer 2020 | 12:05 | Nga Ekonomia Online

Një pacient që dyshohej për Coronavirus ka vdekur në Indi pasi familjarët besohet se ia hoqën nga rryma ventilatorin për ta futur në rrymë një flladitëse.

Incidenti i çuditshëm ndodhi të hënën e kaluar në spitalin “Maharao Bhimsingh” në rajonin verior indian, Rajasthan, shkruan “Daily Mail”.

Pacienti ishte një burrë 40 vjeç, i cili ishte duke përdorur ventilator në një sektor për izolimin e pacientëve me Coronavirus pasi ishte ankuar për vështirësi në frymëmarrje.

Megjithatë, ai vdiq pasi familjarët e tij e larguan nga rryma ventilatorin për ta futur në rrymë flladitësen që e kishin sjellë nga shtëpia për shkak të temperaturave të larta.

Sipas raportimeve të medieve indiane, ventilatori kishte funksionuar për rreth 30 minuta me energjinë e baterisë para se të fikej.

Familjarët më pas i informuan mjekët, të cilët i ofruan ndihmë të shpejtë, por më vonë e shpallën të vdekur. Ky person doli negativ për Coronavirus gjatë testit që iu bë pas vdekjes.

Është e paqartë se si kishin arritur familjarët ta vizitonin të afërmin e atyre në repartin e kujdesit nën izolim.

Familjarët e kishin marrë flladitësen në spital pasi sistemi i klimës ishte fikur me qëllim të parandalimit të përhapjes së Coronavirusit përmes ajrit. Në këtë mënyrë, temperatura kishte arritur në rreth 41 gradë.

Të ngjashme