Franca pritet të ndërtojë memorial për viktimat e terrorizmit

Prishtinë | 10 Mar 2021 | 16:47 | Nga Ekonomia Online

Franca, deri në vitin 2027, do të ndërtojë një memorial kombëtar për viktimat e terrorizmit, njoftoi të mërkurën Zyra e Presidencës franceze.

Sipas saj, një muze për terrorizmin bashkëkohor, që nga vitet 1960 dhe 1970, është planifikuar gjithashtu. Lokacioni i tyre nuk është përcaktuar ende.

Viteve të fundit, zona e Parisit dhe qyteti bregdetar i Nicës janë prekur veçanërisht nga sulmet e përgjakshme terroriste.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, planifikon t’i përkujtojë viktimat e terrorizmit në një shërbim përkujtimor kombëtar, që do të mbahet të enjten në Paris.

Mbi 250 njerëz janë vrarë viteve të fundit në sulmet terroriste në Francë, për të cilat janë fajësuar militantët islamikë.

Burime nga pallati presidencial Elysee kanë thënë se kërcënimi i terrorizmit në këtë vend mbetet shumë i lartë.

Që nga viti 2017, kur Macron i ka fituar zgjedhjet presidenciale, 33 sulme janë parandaluar në Francë, kanë thënë burimet për agjencinë e lajmeve DPA.

Sulmet terroriste kanë goditur rëndë Francën edhe gjatë vitit të kaluar.

Në tetor, një 21-vjeçar me prejardhje nga Tunizia ka vrarë tre njerëz me thikë, në një kishë të Nicës.

Paraprakisht, një mësuesi i është prerë koka në një lagje në rrethinë të Parisit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme