Gjenerali i Emirateve të Bashkuara Arabe i akuzuar për torturë zgjidhet president i Interpolit

Prishtinë | 25 Nën 2021 | 10:36 | Nga Ekonomia Online

Ahmed Al-Raisi, një gjeneral i Emirateve të Bashkuara Arabe që është i akuzuar për mbikëqyrjen e torturës, është zgjedhur si president i Interpolit, ka njoftuar Organizata Ndërkombëtare e Policisë.

Gjeneral Major Ahmed Naser Al-Raisi, inspektor i përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme të Emirateve të Bashkuara Arabe, ishte tashmë një anëtar i komitetit ekzekutiv të Interpolit.

Al-Raisi ka qenë i lidhur me torturat e të burgosurve politikë të profilit të lartë, duke përfshirë Ahmed Mansoor, një disident nga Emiratet, dhe Michael Hedges, një akademik britanik që u akuzua për spiunazh në 2018 dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Hedges u fal më vonë, por Mansoor mbetet në burg, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.

Ndaj tij janë ngritur kallëzime penale në pesë vende, përfshirë në Francë, ku ka selinë Interpol dhe në Turqi ku u zhvilluan zgjedhjet.

Kritikët kanë frikë se ai mund të përdorë shtrirjen globale të Interpolit për të kapur disidentët e mërguar dhe madje edhe kundërshtarët politikë në shtëpi, në vend që të gjuajë kontrabandistët e drogës, trafikantët e qenieve njerëzore, të dyshuarit për krime lufte dhe ekstremistët e dyshuar.

Kandidatura e Al-Raisi ka ngjallur protesta në Evropë. Ligjvënësit francezë i kanë bërë thirrje drejtpërdrejt presidentit Emmanuel Macron që të ndërhyjë teksa deputetët gjermanë kanë pohuar se emërimi i tij bie ndesh me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme