Gjermanët duhet të përgatiten për 4-5 muaj masa të rrepta, thotë ministri i Ekonomisë

Prishtinë | 15 Nën 2020 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

Gjermanët duhet të përgatiten për 4-5 muaj masa të rrepta që të ndalohet shtimi i rasteve me koronavirus dhe nuk duhet të presin që masat aktuale të zbuten së shpejti, ka thënë ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier, për “Bild am Sonntag”.

“Ne nuk mund të lejojmë që ekonomia në mënyrë konstante të hapet e mbyllet”, ka thënë Altmaier.

Gjermania ka ashpërsuar masat, duke shkuar me një mbyllje më të lehtë. Derisa restorantet janë mbyllur, shkollat dhe shitoret deri më tash mbesin të hapura, raporton agjencia Reuters.

Të dhënat nga Instituti Robert Koch (RKI) për sëmundje infektive të së dielës, kanë treguar se në 24 orët e fundit në Gjermani numri i rasteve të infektimit me koronavirus është rritur për 16.947, duke e çuar shifrën totale në 790.503. Shifrat e fundjavës zakonisht janë më të ulëta, pasi jo të gjitha të dhënat raportohen nga autoritetet lokale.

Altmaier thotë se Gjermania duhet të jetë e vëmendshme dhe të mos i zbusë shumë shpejt masat.

“Nëse nuk duam të kemi ditë me nga 50 mijë të infektuar, siç ishte rasti në Francë disa javë më parë, atëherë duhet të shohim në këtë drejtim e të mos spekulojmë në mënyrë konstante se cilat masa mund të zbuten sërish. Gjitha shtetet që kanë hequr kufizimet tepër herët kanë paguar çmim të lartë me jetë të humbura”, ka thënë Altmaier.

Komentet e tij janë të ngjashme me ato të politikanëve tjerë të lartë në Gjermani. Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn ka thënë të shtunën se priten javë të vështira, ndoshta edhe muaj.

Kryetari i Asociacionit Mjekësor të Gjermanisë (WMA), Frank Ulrich Montgomery, ka paralajmëruar për mungesë të shtretërve dhe probleme me staf në spitalet gjermane.

“Parashikimi im është se duhet të flasim për kufizime të mëtutjeshme e jo zbutje të masave”, ka thënë Montgomery për “Augsburger Allgemeine Zeitung”.

Policia gjermane ka pasur një konfrontim me protestues anti-mbyllje në Frankfurt të shtunën. U shpërnda turma pasi rregullat si mbajtja e maskave dhe distanca sociale nuk ishin respektuar.

Të ngjashme