Gjermania forcon masat kundër COVID-19

Prishtinë | 11 Gus 2021 | 16:42 | Nga Ekonomia Online

Gjermania ka vendosur të forcojë masat parandaluese të përhapjes së Coronavirusit, për shkak të rritjes së incidencës nga varianti delta dhe niveli ende i ulët i vaksinimit.

Në një konferencë virtuale të kancelares Angela Merkel dhe kryeministrave të 16 landeve u vendos që nga 11 tetori testet e covid do të jenë me pagesë.

Por ky vendim vlen vetëm për refuzuesit e vaksinave, pasi për të pavaksinuarit e tjerë, si për shembull, të miturit dhe të rinjtë nën moshën 18 vjeçare, dhe gratë shtatzëna, për të cilët nuk këshillohet patjetër vaksinimi, testet do të vijojnë te jenë falas, shkruan DW.

Se sa do të kushtojë një test, kjo do të varet nga ofruesi. Deri tani shteti gjerman u kishte rimbursuar ofruesve të testeve deri në 18 euro për një test antigjen. Prej 1 korrikut ky rimbursim u ul në 11,50 euro për test.

Kush dëshiron të ketë një mbrojtje të plotë deri në vjeshtë, duhet të fillojë që tani me vaksinimin, thuhet në vendimin e landeve dhe federatës.

Ndërkohë nga 23 gushti e tutje do të vlejë i ashtuquajturi rregulli i ashtuquajtur 3G, që do të thotë se hyrja në ambientet e mbyllura lejohet vetëm për të vaksinuarit, të testuarit negativisht apo të shëruarit.

Kush nuk është i vaksinuar apo shëruar së fundmi nga virusi i koronës do të hyjë në spitale, qendra kujdesi për të moshuarit, kisha, palestra sportive, hotele, bare restorante, vetëm me test negativ.

Ndërkohë deri më tani në gjermani janë vaksinuar 45,8 milionë qytetarë ose 55,1 përqind e banorëve.

Të ngjashme