Gjermania kritikon Trumpin për kërcënimin se do ta përdorë ushtrinë ndaj protestuesve

Prishtinë | 03 Qer 2020 | 12:35 | Nga Ekonomia Online

Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas, e ka kritikuar kërcënimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për përdorimin e ushtrisë kundër protestuesve.

Maas tha se demokratët kurrë nuk duhet të eskalojnë, madje as me fjalët e tyre, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

“Në vend se të hedhim benzinë në zjarr, ne duhet të kërkojmë pajtim. Në vend se ta lejojmë veten që të jemi të përçarë, ne duhet të qëndrojmë krah njëri-tjetrit kundër ekstremistëve racistë”, shtoi kryediplomati gjerman.

Më herët gjatë kësaj jave, politikani socialdemokrat e përshkroi vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë si mizor dhe shokues.

Ministri Maas nuk është figura e vetme ndërkombëtare që ka reaguar për situatën e krijuar në Shtetet e Bashkuara. Papa Françesku e ka dënuar vdekjen e Floyd-it dhe ka thënë se nuk mund të mbyllen sytë para racizmit dhe përjashtimit.

George Floyd vdiq më 25 maj në Minneapolis përderisa po arrestohej nga policia. Një polic është akuzuar për vrasje dhe po mbahet në një burg të sigurisë së lartë.

Të ngjashme