Guterres: Njerëzit në “luftë vetëvrasëse” me natyrën

Prishtinë | 02 Dhj 2020 | 21:46 | Nga Ekonomia Online

“Planeti ynë është shkatërruar”, ka paralajmëruar të mërkurën Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. Kjo ngase njerëzimi është duke e zhvilluar atë që ai e përshkroi si luftë “vetëvrasëse” në botën natyrore.

“Natyra gjithmonë kundërlufton dhe po e bën këtë me një forcë dhe vrull të përbashkët”, ka thënë ai në një ngjarje të veçantë rreth mjedisit. Ai u zotua me këtë rast që ta vërë trajtimin e ndryshimit klimatik në epiqendër të misionit global të OKB-së.

Në një fjalim mbi “Gjendjen e Planetit”, ai ka bërë të ditur që “synimi i tij qendror” vitin e ardhshëm do të jetë ndërtimi i një koalicioni global për domosdoshmërinë e uljes së emetimeve në “zero”.

Zeroja i referohet ndërprerjes së lirimit të gazeve serrë sa më shumë që është e mundur dhe baraspeshimin e çfarëdo lirimi të radhës, duke e eliminuar një sasi të barabartë nga atmosfera.

Guterres ka thënë se çdo vend, qytet, institucion financiar dhe kompani “duhet t’i përshtatë planet për një tranzicion të emisioneve në zero deri në vitin 2050”. Me këtë pikëpamje, ata do të duhen të marrin vendime bindëse tani për ta vendosur veten në rrugën për arritjen e këtij vizioni.

Synimi, ka thënë Guterres, është që të ndërpriten emetimet globale në 45 për qind deri në vitin 2030.

“Shkenca është e qartë, nëse bota nuk e ndërpret prodhimin e karburanteve fosile deri në 6 për qind çdo vit mes viteve 2020 dhe 2030, gjërat do të shkojnë për më keq. Shumë më keq”, ka thënë ai.

Ndikimi tashmë po ndihet nëpër tërë botën.

“Vërshimet dhe zjarret apokaliptike, ciklonet dhe uraganet janë tashmë normale”, ka paralajmëruar ai. “Biodiversiteti është duke u shkatërruar. Shkretëtirat po shpërndahen. Oqeanet po ngulfaten nga plastika”.

Ai ka bërë thirrje që ky moment historik të shndërrohet në lëvizje.

“Teknologjia do të na ndihmojë t’i arrijmë këto caqe”, ka thënë Guterres. “Duhet ta hapim një rrugë më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të barabartë”, ka përfunduar shefi i OKB-së.

Ai ka bërë të ditur, megjithatë, se është koha e duhur për këtë luftë kundër fundit të planetit, duke shtuar: “Duhet të shpallim armëpushim të përhershëm dhe të rimishërohemi me natyrën”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme