Holanda dëbon dy diplomatë rusë me dyshime për spiunazh

Prishtinë | 10 Dhj 2020 | 20:24 | Nga Ekonomia Online

Holanda të enjten ka urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve rusë që akuzohen se kanë spiunuar në sektorin e Holandës të teknologjisë së lartë, ka thënë Agjencia Nacionale Holande e Inteligjencës (AIVD), raporton Reuters.

Incidenti i radhës diplomatik do të rrisë me shumë gjasë tensionet mes dy shtete, të cilat janë të acaruara për shkak të gjykimit për vrasje në Holandë të tre rusëve për rrëzimin e aeroplanit të Malaysia Airlines që po fluturonte mbi pjesën lindore të Ukrainës në vitin 2014.

Qeveria e Holandës do të rishikojë opsionet ligjore për të luftuar spiunazhin nga diplomatët e huaj në Holandë, që aktualisht kanë imunitet nga persekutimi.

Një nga diplomatët, që punon për Agjencinë e Jashtme Ruse të Inteligjencës (SVR), “ka qenë i ngarkuar për spiunim në teknologji dhe fushë të shkencës”, ka thënë AIVD në komunikatë.

“Shërbimet inteligjente ruse kanë zhvilluar kontakte me njerëzit me çasje në informata të ndjeshme në sektorin e teknologjisë së lartë”, ka thënë AIVD. “Interesat e zyrtarit rus të inteligjencës shkuan në drejtim të marrjes së më tepër informatave për inteligjencën artificiale e për nanoteknologji. Shumë nga këto teknologji kanë si aplikime civile ashtu edhe në ushtri”.

Ambasada e Rusisë në Hagë ka thënë se Holanda nuk ka paraqitur asnjë dëshmi për këto akuza të pretenduara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme