Hungaria liron masat për ata që posedojnë kartë të imunizimit

Prishtinë | 01 Maj 2021 | 15:26 | Nga Ekonomia Online

Hungaria ka liruar të shtunën një seri masash kundër COVID-19, për njerëzit të cilët tashmë posedojnë kartën e imunizimit.

Kjo është një prej masave të fundit që janë liruar në vazhdën e qëllimit për rihapjen e vendit pas kampanjës ambicioze të vaksinimit.

Sipas vendimit të ri të qeverisë hungareze, personat të cilët posedojnë kartën e imunizimit mund të hyjnë në hotele, teatro, kinema, qendra të fitnesit, librari, muze e në vende të tjera rekreative.

Ndërkohë, mbajtja hapur e bizneseve është zgjatur për deri në ora 11:00 të natës derisa ora policore e cila është në funksion që nga nëntori i vitit të kaluar, tani do të nis më vonë, diku nga mesnata.

Personat e vaksinuar dhe ata të cilët janë rikuperuar nga COVID-19 mund të pajisen me kartën e imunizimit, e cila duhet të prezantohet çdo herë, për të hyrë në vendet publike, raporton AP, transmeton Koha.net. Ndërkaq, bizneset të cilat lejojnë që të hyjnë brenda tyre persona pa këto karta, mund të gjobiten rëndë.

Hungaria ka administruar me 4 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit, duke arritur që të vaksinojë rreth 40% të popullatës së saj.

Ky shtet është në mesin e vendeve të Evropës që ka arritur nivelin më të lartë të vaksinimit ndërkohë që është shteti i vetëm nga 27 vendet e Bashkimit Evropian që po përdor vaksinat nga Kina dhe Rusia.

Të ngjashme