Irani: Pamjet e qendrave bërthamore, nuk do t’i dorëzohen Agjencisë për Energji Atomike

Prishtinë | 27 Qer 2021 | 12:01 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Parlamentit të Iranit Mohammad Baqer Qalibaf, ka thënë se Teherani nuk do t’i dorëzojë kurrë Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike, fotografi të disa qendrave bërthamore iraniane, pasi marrëveshja mes palëve ka skaduar.

“Marrëveshja ka skaduar… çfarëdo informacioni nuk do t’i dorëzohet kurrë Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike, si dhe të dhënat dhe fotografitë do të mbesin në pronësi të Iranit”, është cituar të ketë thënë Mohammad Baqer Qalibaf të dielën, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim.

Të dyja palët kanë nënshkruar marrëveshje tremujore, në muajin shkurt, përmes së cilës është lejuar vëzhgimi i disa aktiviteteve bërthamore.

Marrëveshja, e cila i ka mundësuar Agjencisë Ndërkombëtare për Energjike Atomike që të mbledhë dhe analizojë fotografitë nga kamerat e vëzhgimit, të vendosura në zonat bërthamore të Iranit, është zgjatur për një muaj, deri më 24 qershor.

Raisi në favor të marrëveshjes bërthamore, por kundër takimit me Bidenin
Irani dhe Shtetet e Bashkuara, janë duke zhvilluar bisedime indirekte për ringjallje të marrëveshjes bërthamore, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Sipas marrëveshjes, Teherani ishte pajtuar që të kufizonte programin bërthamor, në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Ish-presidenti amerikan Donald Trump, pati tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja dhe ka rikthyer sanksionet e ashpra ndaj Iranit, duke dëmtuar rëndë ekonominë e këtij shteti.

Teherani është përgjigjur, duke hequr dorë gradualisht nga përkushtimet e bëra në marrëveshje.

Presidenti amerikan Joe Biden, ka dhënë shenja se SHBA-ja ka gatishmëri për t’iu rikthyer marrëveshjes, nëse Teherani e zbaton atë me përpikëri.

Të ngjashme